Vendosni fjalën kyçe....

Hidhet shorti, përcaktohet trupa gjykuese që do vendosë për çështjen e Saimir Tahirit


Këtë të premte është hedhur sot në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për trupën gjykuese që do të gjykojë çështjen e ish-ministrit Saimir Tahiri dhe ish-kreut të policisë së Vlorës, Jaeld Çela.

Kujtojmë se çështjen do ta kryesonte gjyqtarja Miliana Muça dhe anëtare Daniela Shirka dhe Ilirjana Olldashi.

Por, Muça paraqiti aktin e heqjes dorë nga çështje, kërkesë që u miratua nga zëvendëskryetari i gjykatës. Për këtë arsye, çështja u rihodh përsëri në short duke përcaktuar trupin gjykues të përbërë nga kryesuese Daniela Shirka dhe anëtare Ilirjana Olldashi. Anëtari i tretë pritet të delegohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Kujtojmë se Gjykata e Lartë mori më 28 shtator vendimin për të rikthyer çështjen për Tahirin në apelin e GJKKO-së me trupë tjetër gjykuese, duke rrëzuar kërkesën e SPAK për rigjykim në shkallë të parë.

Tahiri u dënua nga Krimet e Rënda për shpërdorim detyre me 3 vite shërbim prove, ndërsa Apeli i posaçëm e prishi vendimin dhe e ktheu për rigjykim në Shkallën e Parë. Më pas ish ministri bëri rekurs dhe dhoma e këshillimit e Gjykatës së Lartë e ka pranuar për ta gjykuar. 

NJOFTIMI I GJKKO-së

Përshëndetje, nisur nga interesi juaj, ju bëj me dije se çështja në ngarkim të të pandehurve S.T. dhe J.Ç., e regjistruar pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar më date 24.11.2021, me nr. 47 regjistri themeltar, u hodh në short ditën e sotme, më datë 26.11.2021.

Fillimisht nga shorti rezultoi se çështjen do ta kryesonte gjyqtarja Miliana Muça dhe anëtare gjyqtaret Daniela Shirka dhe Ilirjana Olldashi.

Gjyqtarja Miliana Muça paraqiti aktin e heqjes dorë nga çështje (për faktin se është shprehur më parë duke qenë gjyqtare e seancës paraprake), heqje dorë e cila u miratua nga zëvendëskryetari i gjykatës.
Nisur nga kjo, çështja u rishortua, duke përcaktuar trupin gjykues të përbërë nga kryesuese Daniela Shirka, anëtare Ilirjana Olldashi. Anëtari i tretë pritet të delegohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.