Vendosni fjalën kyçe....

Suedia për herë të parë zgjedh një kryeministre grua, njihuni me Magdalena Andersson


Magdalena Andersson është miratuar nga parlamenti i Suedisë si kryeministrja e parë grua e vendit, pasi zëvendësoi Stefan Lofven si kreun e socialdemokratëve të qendrës së majtë.

Suedia është i vetmi vend nordik që nuk ka zgjedhur kurrë më parë një grua si udhëheqëse kombëtare.

Zonja Andersson, e cila aktualisht është ministre e financave, nuk e fitoi votimin e së mërkurës. Mbështetje ka marrë nga 117 deputetë, 57 abstenuan dhe 174 kundër.

Megjithatë, ajo u zgjodh sepse sipas ligjit suedez asaj i nevojitej vetëm që shumica e deputetëve të mos votonte kundër saj. Pra 175, dhe ajo e mori fitoren me një votë të vetme.

Andersson është një ish-kampione noti nga qyteti universitar i Uppsala. Ajo e filloi karrierën e saj politike në vitin 1996 si këshilltare politike e kryeministrit të atëhershëm Goran Persson. Ajo ka kaluar shtatë vitet e fundit si ministre e financave.

Megjithatë, ajo po përballet me një punë të vështirë që në fillim, me partitë opozitare në të djathtë që thonë se do të refuzojnë buxhetin e qeverisë për vitin 2022. Partia e Qendrës, e cila e mbështeti atë për postin e kryeministres, thotë se nuk do të mbështesë një paketë financiare nga një qeveri që “lëviz shumë në të majtë”.

Me një qeveri të vetëquajtur “feministe” dhe një markë të lidhur me politika “të barabarta gjinore”, si leja e përbashkët prindërore, është një paradoks që Suedia nuk ka pasur kurrë një grua si kryeministre deri më tani. Të gjitha kombet e tjera nordike aktualisht kanë ose kanë pasur gra në krye. Norvegjia ishte e para me Gro Harlem Brundtland të zgjedhur në vitin 1981.

Është e vështirë të thuhet pse Suedia ka mbetur prapa fqinjëve të saj, pasi gratë kanë pasur prej kohësh një prani të fortë politike. Rreth gjysma e të gjithë deputetëve janë gra. Duke përfshirë socialdemokratët e zonjës Andersson, gjashtë nga tetë parti në parlament kanë aktualisht lidere femra.