Vendosni fjalën kyçe....

Rritja e aplikimeve për azil në BE, Basha: Fundi i kësaj katastrofe kombëtare kërkon përballje frontale me korrupsionin


Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka komentuar rritjen e aplikimeve për azil nga shqiptarët në vendet e BE-së, duke thënë se kjo tregon se masakra e 25 prillit nuk zgjidhi asgjë për ta.

Në një koment në “Twitter”, Basha shprehet se fundi i kësaj katastrofe kombëtare, kërkon një përballje frontale me korrupsionin dhe thekson rëndësinë e Vettingut në Politikë.

“Me përjashtim të një lufte civile, një nga arsyet madhore pse njerëzit largohen nga vendi i tyre është korrupsioni. Rritja e aplikimeve për azil në vendet e BE-së dëshmon edhe njëherë se masakra e 25 prillit nuk zgjidhi asgjë për shqiptarët. Fundi i kësaj katastrofe kombëtare, kërkon një përballje frontale me korrupsionin, duke thyer bashkëpunimin mes politikës, krimit dhe oligarkisë, që ka shkërmoqur demokracinë dhe po mbyt të ardhmen e Shqipërisë duke e bërë të pajetueshme për familjet shqiptare. #vettingnëpolitikë”– shkruan Basha.

Sipas të dhënave nga EASO, zyra europiane e azilantëve, aplikimet për azil në muajin gusht arritën në mbi 1400, me një rritje prej 46% në krahasim me korrikun dhe më shumë se dyfishi në raport me muajin qershor.

Në gusht, aplikimet ishin më të larta dhe se muajt e fundit përpara se të fillonte pandemia, dhjetor 2019 dhe janar e shkurt 2020.

Në krahasim me shtetet e tjera të rajonit, shqiptarët mbajnë rekord për numrin e aplikimeve në gusht, duke rezultuar gati katër herë më të larta sesa shteti i dytë pas nesh, që është Maqedonia e Veriut.