Vendosni fjalën kyçe....

Mashtroi SPAK-un për të liruar Viktor Ymerin, arrestohet ish-shefi juridik në Burgun e Peqinit


Viktor Ymeri

Prokuroria e Posacme urdhëroi arrestimin e ish-shefit të sektorit ligjor në burgun e sigurisë së lartë Peqin, Gani Shehu, ndaj të cilit rëndojnë dyshime se mashtroi institucionin e akuzës, në lidhje me kohën që Viktor Imeri, i njohur si “Tori i Xhihandës”, ka vuajtur dënimin për vrasje të dyfishtë në burgun e sigurisë së lartë Peqin.

Nga hetimet rezultoi se ish- zyrtari i burgut, i dërgoi SPAK-ut të dhëna të rreme, pas një kërkese që prokuroria i bëri institucionit të vuajtjes së dënimit, ku kërkonte informacion lidhur me periudhën, sektorin apo qelinë ku kishte qëndruar i dënuari Imeri, i cili u prangos pak muaj pasi u lirua me kusht, si i dyshuar për vrasjen e Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut.

Ky informacion kërkohej dhe konsiderohej shumë i vlefshëm për hetimin, për të konfirmuar dëshminë e të penduarit të drejtësisë Lyftar Reci, i cili pretendonte se të dhënat për dy vrasjet e bujshme të ndodhura në në vitin 2005, i kishte mësuar nga Tori i Xhihanes, gjatë kohës që kishte qëendruar në të njëjtin burg me të.

NJOFTIMI I PROKURORISË

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka në hetim procedimin penal nr.252 të vitit 2020, për veprat penale të parashikuara nga nenet 79/dh, 78, 278, 333/a, 334 etj. të Kodit Penal. Në kuadër të këtij procedimi penal po hetohet shtetasi V.B(I). Gjatë shqyrtimit të kërkesës së të arrestuarit V.B.(I), me objekt revokim/zëvendësim të masës së sigurimit nga ana e mbrojtjes së të hetuarit, u paraqit si provë një shkresë me lëndë: “Kthim përgjigje” e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale, Peqin e datës 14.01.2021.

Duke marrë shkas nga përmbajtja e kësaj shkrese, Prokuroria e Posaçme, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kreu hetime të thelluara në drejtim të vërtetësisë së të dhënave të pasqyruara. Pas kryerjes së shumë veprimeve hetimore, u krijua dyshimi i arsyeshëm se, në shkresën e datës 14.01.2021 të nxjerrë nga IEVP, Peqin, paraqiteshin të dhëna të rreme të cilat shkonin në drejtim të lehtësimit të pozitës së të hetuarit V.B.(I).

Gjithashtu, nga provat e grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit krijohet dyshimi i arsyeshëm se, personi që ka përgatitur këtë shkresë në të cilën janë pasqyruar të dhëna të rreme,  është ish – Shefi i Sektorit Ligjor të IEVP – së Peqin, G.Sh.

Në vijim, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.95 datë 10.11.2021 ka caktuar ndaj shtetasit G.Sh. masën e sigurimit: “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, nga personi që ka për detyrë t’i lëshojë ato, parashikuar nga neni 186/3 i Kodit Penal.

Kjo masë sigurimi u ekzekutua nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në datën 11.11.2021.