Vendosni fjalën kyçe....

Debati për mbledhjen e Kuvendit të PD/ Strazimiri: Firmat verifikohen më 11 dhjetor, kush ka kuriozitet t’i shohë në zyrën e Palokës


Deputeti i PD-së Flamur Noka dhe dy ish-deputetët Gent Strazimiri dhe Arben Ristani kanë folur sot në një deklaratë për mediat lidhur me depozitimin e firmave të delegatëve për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Gjatë fjalës së tij, Strazimiri theksoi se firmat për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar do të verifikohen më datë 11 dhjetor.

Ai shtoi se kushdo që ka kuriozitet të shohë firmat, mund t’i shohë ato në zyrën e Edi Palokës, i cili është dhe kryetari i Këshillit Kombëtar.

“Siç jeni në dijeni shumica absolute e PD kanë firmosur kërkesën për mbledhjen e Kuvendit më 11 dhjetor. Ky është organi më i lartë statutor që drejton PD. Ajo verifikohet sipas një procedure fikse, standarde. Vetë Kuvendi miraton komisionin e verifikimit të mandateve.

Edhe nëse nuk vetëmblidhet Kuvendi nuk verifikohet nga askush tjetër, sepse të gjithë janë vartësit e tij. Si i tillë edhe Kuvendit i datës 11 dhjetor do të verifikohet nga komisioni që do të miratohet në sallë. Kemi paraqitur për transparencë numrin e firmave që janë mbledhur nga delegatët e PD. A ishte detyrim statutor? Jo. E kemi bërë për transparencë. I kemi dorëzuar në organin e dytë më kryesor të PD, Këshillin Kombëtar. Kush ka kuriozitetin mund të shohë në zyrën e kreut të Këshillit të PD.

Kushdo e ka 20 hapa larg zyrën e zoti Paloka e të shohë janë mbledhur apo jo firmat, jo të verifikojë, atë e bën Kuvendit vetë.”– tha Strazimiri.