Vendosni fjalën kyçe....

Gazment Bardhi: PD është institucion dhe ka rregulla, nëse i keni vërtet sillini firmat, me kë talleni


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Dmeokratike Gazment Bardhi, ka dalë në një deklaratë për mediet lidhur me çështjen e firmave të mbledhura nga “Foltoret” e ish-liderit Sali Berisha për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të partisë.

Bardhi tha se e gjitha ka qenë një show, pasi pas 2 muajsh ende nuk janë mbledhur sipas tij firmat as të ¼ të anëtarëve të partisë.

DEKLARATA E BARDHIT

Mirëdita të gjithëve,

Për fat të keq dhe dua të shpreh keqardhjen time, tallja me anëtarët e Partisë Demokratike vijon edhe sot. Dua të konfirmoj edhe një herë që Partia Demokratike është institucion. Respekti ndaj institucioneve është primar në çdo demokraci.

Ne nuk jemi një organizatë që veprojmë në ilegalitet.

Nuk kemi halle apo probleme për sa i përket zbatimit të ligjit. E në funksionimin tonë të brendshëm, kemi përgjegjësinë dhe detyrimin në raport me demokratët, për të zbatuar rregullat e brendshme të Partisë Demokratike, Statutin e Partisë Demokratike.

Dua të konfirmoj për çdo demokrat, se në Partinë Demokratike nuk ka ardhur deri në këtë moment që ne flasim, asnjë kërkesë e qoftë edhe të një anëtari të vetëm të Kuvendit Kombëtar për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar.

Ajo që shqiptarët, por veçanërisht mbështetësit e Partisë Demokratike kanë parë gjatë këtyre dy muajve, ka qenë një blof i madh, një kakofoni shifrash, një tallje me sakrificën dhe mundin e demokratëve për halle dhe probleme personale, sepse nuk u arrit që pas dy muajsh kontakti me demokratët të siguroheshin ¼ e firmave të anëtarëve të Kuvendit Kombëtar apo ¼ të firmave të anëtarëve të partisë që të mundësonin nisjen e proçedurës për thirrjen e Kuvendit Kombëtar.

Ka më shumë se dy muaj që bërtitet në çdo studio që do të duhet të mblidhet Kuvendi Kombëtar i PD-së, sepse ka një problematikë, ish-kryetari z.Berisha, ka një çështje të tij që do të duhet ta shtrojë për diskutim dhe në momentin ku skadon afati, jo vetëm nuk depozitohen firmat, por bëhet një show dhe një tallje ndaj demokratëve dhe i themi atyre, firmat i kemi, madje kemi edhe shumicën, por nuk i tregojmë, do t’i mbyllim në kasafortë.

Nëse i kanë firmat, ripërsëris ftesën time në emër të Partisë Demokratike, t’i depozitojnë në protokollin e Partisë Demokratike.

Çdo institucion i partisë ka përgjegjësinë për të respektuar vullnetin e demokratëve. Ka përgjegjësinë për të ndjekur çdo proçedurë që lidhet me thirrjen e organeve të partisë, qoftë ky Kuvendi Kombëtar, Këshilli Kombëtar, apo Kryesia e partisë.

Por, besoj jeni edhe ju dëshmitarë që deri në këtë moment në Partinë Demokratike, në zyrën e protokollit, ka punonjës administratat e Partisë Demokratike, e përsëris, nuk jemi institucion në ilegalitet. Nuk kemi asnjë hall me ligjin, asnjë shqetësim, asnjë problem. I vetmi hall i Partisë Demokratike, janë hallet e demokratëve.

I vetmi hall i demokratëve në këtë moment është largimi i një orë e më parë i regjimit të Edi Ramës.

Prandaj rikonfirmoj, për çdo anëtar të Kuvendit të Partisë Demokratike, që jo vetëm nuk janë depozituar ¼ e firmave që të na jepte mundësinë për të ndjekur proçedurën për thirrjen e Kuvendit Kombëtar, por në momentin që flasim, nuk ka një firmë të depozituar.

Unë nuk e kuptoj ku qëndron problemi i mosdepozitimit, ose më saktë, bëj sikur nuk e kuptoj, sepse unë e di se ku qëndron problemi i mosdepozitimit zyrtar të firmave në protokollin e Partisë Demokratike.

Ju jeni dëshmitarë, ka një punonjës, ka një shef zyre protokolli në Partinë Demokratike.

Ka një keqkuptim me sa kam kuptuar.

Nuk vijnë firmat në zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm, vijnë protokollin e Partisë Demokratike.

Regjistrohet dhe protokollohet çdo kërkesë e cilitdo, aq më tepër kur bëhet fjalë për 25% të anëtarëve të organit më të lartë vendimmarrës të partisë, siç është Kuvendi i Partisë.

Protokollohet çdo kërkesë. Me datë dhe orë.

Prandaj, nëse këto firma do të ekzistonin, nëse këto firma do të ishin të delegatëve të Kuvendit Kombëtar, të jeni të sigurt që do të ishin depozituar dje, siç ju njoftuam paraprakisht ju, dhe unë mora masa që punonjësit e administratës të Partisë Demokratike të qëndronin  në punë edhe pas orarit të tyre zyrtar, duke qenë se media ishte njoftuar se këto firma do të depozitoheshin në orën 17.00, apo jo?

Punonjësit e zyrës së protokollit të Partisë Demokratike kanë qenë në pritje të këtij procesi dhe të kësaj proçedure.

Nuk sillen firmat nga dera prapa qoftë edhe në shoqërinë e kamerave, me kuti të mbyllura, futen ne kasafortë në një zyrë që dua ta sqaroj, nuk ështe Kryetarit të Këshillit Kombëtar.

Paloka e disponon zyrën si ish-nënkryetar partie. Nuk e ka dorëzuar në mirëkuptim edhe me administratën e partisë. Nuk ka zyrë Kryetari i Këshillit Kombëtar sepse është një funksion honorifik.

Drejton dhe moderon mbledhjet e Këshillit Kombëtar.

Nuk ka as administratë, as staf në varësinë e tij për të kryer asnjë lloj procesi.

Tani na thuhet do të duhet të shkojmë të hyjmë tek kasaforta e z. Paloka, për t’i parë janë apo s’janë firmat.

Madje sot na u tha që, vetëverifikohen.

Pran X-i do të vetëverifikojë firmën e X-it.

Pra, secili prej atyre që kanë firmosur vetëverifikon firmën e vetë. Me kë tallen këta? Me kë tallen? Apo do verifikojnë firmat e njëri-tjetrit?

Kjo parti e ripërsëris, është institucion dhe do të duhet të respektohet si sinstitucion, aq më tepër kur bëhet fjalë për ish-drejtues të lartë të kësaj partie që e dinë shumë se si janë rregullat e funskionimit të PD-së, por blofin me demokratët, këta të fundit nuk ia kanë borxh askujt, madje secili rpej nesh që ka ushtruar apo ushtron përgjegjësi në emër të demokratëve, është në borxh me demokratët.

I hapur për pyetje dhe për sqarime nga secili prej jush.