Vendosni fjalën kyçe....

Lisandër Hoxha kundër Bashës: U hakmore ndaj FRPD-së, askush s’të bindet më jashtë katit të 2 të selisë


Lidhur me shpalljen e zgjedhjeve për kryetarin e FRPD-së, ka reaguar edhe ish-nënkryetari i Forumit Rinor, Lisandër Hoxha.

Në një postim, Hoxha ka akuzuar kreun e PD-së Lulzim Bashën se po tradhton rininë demokrate duke abuzuar me shpalljen e zgjedhjeve në këtë organ të partisë, që sipas tij ka strukturat e veta të pavarura.

Në këtë postim, Hoxha shprehet se Basha po hakmerret politikisht ndaj të rinjve të FRPD-së për shkak se një pjesë e tyre deklaroi se do i bashkohet Foltores së ish-liderit Sali Berisha.

REAGIMI I ISH-NËNKRYETARIT TË FRPD-së:

 Forumit Rinor të PD, i cili të dha gjithçka deshe, nuk i the asnjëherë faleminderit, Kryetar! Që prej 2015 dhe deri më sot, me qindra të rinj të FRPD janë burgosur në aksionet politike të PD. Të gjithë u ndjemë të tradhtuar në 2017 dhe përsëri në 2021 kur u talle me rininë. Unë të paralajmërova, Lulzim Basha, publikisht për katastrofën dhe të tregova se dinjiteti dhe morali njerëzor është akoma një vlerë mes të rinjve demokratë.

Mbrëmë ke urdhëruar, pa asnjë bazë, të hapesh garën për FRPD. Një urdhër lufte nga një Gjeneral pa ushtri, një Kryetar pa Parti. Askush nuk të bindet më jashtë katit të dytë të selisë së Partisë Demokratike, z. Basha. Hakmarrja juaj prej neandertali politik të shkolluar në Europë nuk të nderon aspak. Përbuzja ndaj të rinjve më aktivë, që bënë burg për ju, nuk është tipar lidershipi, por është tipar skuthërie. Të rinjtë janë të parët që folën për krizën politike në PD dhe kërkuan hapjen e debatit politik brenda shtëpisë tonë. Unë erdha në derën e Partisë Demokratike dhe të kërkova këtë gjë publikisht sapo i humbe zgjedhjet e pahumbshme të 25 Prillit. Heshtja prej fajtori dhe strukja në divanin e zi të zyrës nuk i zgjidhi problemet. Sot ke kundër të gjithë strukturën e FRPD.

Foltorja me rininë është ajo e cila të tmerron më shumë se gjithçka tjetër sepse e di mirë efektin e saj. Përbuzja që ke treguar ndaj nesh është kthyer në një sfide, e cila do të mbyllet me largimin tënd, z. Basha, nga drejtimi i Partise Demokratike. 11 Dhjetori është dita e gjykimit për të gjithë stabilokratët që mendojnë se do e mbajnë peng Partinë Demokratike. Zoti i bekoftë të rinjtë demokratë!