Vendosni fjalën kyçe....

Ministri Ulsi Manja: Sapo kaluam projektligjin për Vettingun e Noterëve


Njëlloj si gjyqtarët dhe prokurorët, edhe noterët do t’i nënshtrohen një procesi Vettingu.

Lajmi është bërë me dije nga ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, pas përfundimit të mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave.

Në këtë mbledhje u miratua projektligji i cili do të dërgohet në Kuvend për diskutim dhe parashikon kritere të reja për pranimet në sistemin e noterisë.

“Sapo kaluam në qeveri projektligjin për ndryshime në ligjin për noterinë, nismë e rëndësishme që ka për qëllim forcimin e integritetit të profesionit e lidhet me besueshmërinë e publikut tek ky shërbim.

Ky ligj përcakton kritere të reja për futjen në profesionin e noterit dhe që kanë të bëjnë me mos përfshirjen në këtë sistem të personave që kanë lidhje apo kontakte të papërshtatshme me krimin e organizuar, ose persona të dënuar për vepra penale të rënda.

E këtyre kritereve të reja do i nënshtrohen edhe noterët që janë pjesë e shërëbimit noterial përmes inspektimeve proaktive që do ushtrojë ministria e drejtësisë.

Në kriteret e reja që përcakton ligji, pjesë e shërbimit të noterisë s’mund të jenë, s’mund të bëhen dhe nuk do jenë as noterët që janë në listën e personave të shpallur sipas ligjit më fuqi në kuadër të masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Në këtë ligj përcaktohen kritere të reja për pranimin në këtë profesion si janë kriteret e pranimit për kandidatët për gjyqtarë e prokurorë në shkollën e magjistturës.

Po ashtu ligji i ri përcakton të njëjtat kritere për heqjen e licencës apo masave disiplinore si për gjyqtarët dhe prokurorët.

Ndryshimet që propozohen sot jo vetëm që përcaktojnë kritere të reja për ata që do të pranohen në sistemin e noterisë, por as më shumë as më pak është një proces vetingu për noterët që sot janë në këtë shërbim dhe kjo ka të bëjë me verifikimin e kontakteve të tyre me persona të dënuar.

Është veting për sistemin noterial në Shqipëri. Ligji për noterinë që është i vitit 2018 ka përcaktuar dhe mekanizmat e filtrimit. Është Ministria e Drejtësisë që përmes inspektimeve të planifikuara dhe hetimeve proaktive do ta bëjë filtrimin e këtij sistemi. Është një sistem i deleguar, por që përgjegjëse për këtë hetim është Ministria e Drejtësisë.”- deklaroi Manja.