Vendosni fjalën kyçe....

Sulmohet spitali ushtarak në Kabul, mbi 20 të vrarë dhe 16 të plagosur


Më shumë se 20 persona janë vrarë dhe të paktën 16 janë plagosur nga një sulm në një spital ushtarak në kryeqytetin afgan Kabul.

Siç shkruan BBC, një zëdhënës i talebanëve konfirmoi se kishte pasur dy shpërthime – i pari përballë spitalit me 400 shtretër Sardar Daud Khan dhe i dyti aty pranë.

Persona të armatosur më pas hynë në ambientet e spitalit.

Askush nuk e mori menjëherë përgjegjësinë për sulmin.

Zëdhënësi i talebanëve, Bilal Karimi, i tha BBC-së se luftëtarët nga dega e Shtetit Islamik IS-K kishin hyrë në kompleks pas shpërthimit të parë në portën e hyrjes.

Karimi tha se luftëtarët talebanë qëlluan dhe vranë katër sulmues të IS-K dhe kapën një të gjallë. Pamjet nga Kabuli treguan një shtëllungë tymi mbi zonë. Një mjek në ndërtesë i tha agjencisë së lajmeve AFP se ai ishte dërguar të kërkonte strehim në një dhomë të sigurt gjatë sulmit dhe mund të dëgjonte të shtënat me armë.

Grupi IS-K, i cili përfaqëson Shtetin Islamik Khorasan, ka marrë përgjegjësinë për një numër sulmesh që synojnë civilët dhe luftëtarët talebanë në Afganistan. Spitali Sardar Daud Khan ka qenë në shënjestër edhe më parë e këtyre sulmeve. Më shumë se 30 njerëz u vranë dhe 50 të tjerë u plagosën në vitin 2017 kur persona të armatosur të veshur si mjekë hynë në ndërtesë. Ky sulm u mor përsipër nga grupi i Shtetit Islamik.