Vendosni fjalën kyçe....

Sudani në “gjendje emergjente” pas grushtit të shtetit dhe arrestimit të kryeministrit


Kreu i këshillit qeverisës të Sudanit, Abdel Fattah al-Burhan, ka njoftuar shpërbërjen e këshillit sovran kalimtar dhe të qeverisë, duke miratuar një gjendje të jashtëzakonshme në mes të një grushti shteti ushtarak pas arrestimit të kryeministrit të vendit

Në një deklaratë të hënën, Abdel Fattah al-Burhan, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe shpërndau qeverinë, raporton RT.

Pas arrestimit të kryeministrit Abdalla Hamdok dhe zyrtarëve të tjerë nga trupat ushtarake, Burhan deklaroi se ushtria do të mbikëqyrë pjesën e mbetur të tranzicionit të Sudanit në demokraci dhe do t’i dorëzohet një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike.

Burhan, i cili është vetë një oficer ushtarak, u zotua se do të siguronte që zgjedhjet të mbaheshin në korrik të vitit 2023. Këshilli Sovran ishte ngarkuar të mbikëqyrte një tranzicion katër-vjeçar drejt demokracisë pasi udhëheqësi prej një kohe të gjatë Omar al-Bashir u hoq nga pushteti në vitin 2019 pas disa muajsh trazirash civile dhe protestash.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka reaguar në “Twitter” në mbështetje të qeverisë kalimtare të Sudanit dhe bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të kryeministrit Abdalla Hamdok.

“Franca dënon tentativën për grusht shteti në Sudan me termat më të ashpër. Unë shpreh mbështetjen tonë për qeverinë kalimtare sudaneze dhe bëj thirrje për lirimin e menjëhershëm dhe sigurinë e kryeministrit dhe liderëve civilë.”- shkroi Macron.

Mijëra njerëz dolën në rrugët e kryeqytetit, Khartoum dhe të qytetit “binjak” të tij Omdurman për të protestuar kundër marrjes së pushtetit nga ushtria. Pamjet e shpërndara në internet tregojnë protestuesit duke bllokuar rrugët dhe duke u vënë flakën gomave ndërsa forcat e sigurisë përdorën gaz lotsjellës për t’i shpërndarë.

Protestuesit mund të dëgjoheshin duke brohoritur, “Populli është më i fortë, më i fortë” dhe “Tërheqja nuk është një opsion!” .  Të paktën 12 protestues u plagosën në demonstrata, sipas Komitetit të Mjekëve Sudanezë.