Vendosni fjalën kyçe....

Mbi emërimet e fundit në Polici


Nga Etleva Delia

Para emërimit, kur thjesht po përflitej korridoreve të Policisë së Shtetit si pasues i Ardi Veliut, besova shumë te Gledis Nano. Jo vetëm unë, por pothuajse të gjithë ne gazetarët që kemi qenë prej vitesh pranë Policisë së Shtetit.

Megjithatë, duke parë si ishin bërë emërimet e mëparshme, patën edhe një lloj dyshimi, se mos emri i Gledis Nanos ishte hedhur enkas si informacion për mediat, siç ndodh shpesh për ta “djegur”, duke qenë se nuk prisnim emërimin e një oficeri kaq të ri. Por jo, ndodhi që kësaj herë ishte e vërtetë. Gledis Nano, 40 vjeç, u emërua në krye të Policisë së Shtetit. Të gjithë ne e pritëm mirë këtë lajm. Edhe punonjësit e Policisë, madje edhe ata që janë në lirim e pritën mjaft mirë. Emërimin e tij, sidomos zëvendësimin e Ardi Veliut, e konsideruam ne, e konsideruan edhe punonjësit e Policisë, si ndryshimin e frymës brenda radhëve të tyre.

Të lodhur nga arroganca, nëpërkëmbja dhe nga urdhrat, në shumë raste absurdë, të shefave, disa prej të cilëve thjesht e patën fat të ishin shefa, policët u duk sikur u çliruan. Filluan të shpresojnë, të besojnë se uniforma e tyre tashmë do merrte kuptimin që i takon. Madje edhe vetë drejtori i ri i Policisë së Shtetit, që pati një takim miqësor me ne gazetarët e kronikës, kishte si kryefjalë të gjithë fjalimin të tij, jo zyrtar, ndryshimin e frymës. “E rëndësishme është që Policia e Shtetit dhe ju personalisht të kuptoni që ne gazetarët nuk na keni armiq. Armiqtë zakonisht nuk kritikojnë, nuk bëjnë vërejtje. Ua them këtë, duke qenë se paraardhësi juaj na konsideronte të tillë”. Ky ishte i vetmi koment që bëra gjatë atij takimi me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë. Duke e konsideruar si një oficer që kishte marrë me meritë çdo detyrë e gradë, që kishte ngjitur me radhë të gjitha shkallët e karrierës, ndryshe nga shumë e shumë të tjerë, pritshmëritë janë të mëdha.

Me emërimin e tij, shpresuam se tashmë nuk do kishte më rokada, transferime të së njëjtëve drejtues, që duket se kanë provuar çdo Drejtori Vendore dhe s’kanë ndërmend t’ua lëshojnë vendin të rinjve, ashtu siç ndodhi me pozicionin më të lartë në Polici, që e mori Gledis Nano. Por jo, nuk ndodhi kështu.

Me urdhrin e dy ditëve më parë, që Nano firmosi në cilësinë e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, që ndryshoi pothuajse të gjithë drejtuesit e Policisë dhe paralajmëroi ndryshime të tjera, pamë që “fryma”, të paktën në transferime, po mbetet e njëjtë. Janë të njëjtët emra përherë. Por nëse dikush betohet të luftojë krimin, e lufton njësoj, si në Tiranë, si në Gjirokastër, në Korçë, apo gjetkë. Ai që për shumë muaj me radhë nuk e ka luftuar krimin në një qark, me siguri nuk do e luftojë as në qarkun tjetër. Pse nuk ka Policia e Shtetit oficerë të rinj, që mund të emërohen drejtorë, ashtu si Gledisi? Nuk kanë gradën që u duhet… po atëherë çfarë prisni që t’i hapni rrugë konkursit për ngritje në gradë? Duke qenë se tashmë ka dhe një vendim të Gjykatës së Lartë, që heq përfundimisht praktikën e fitimit të gradës me gjyq, është në dorë të vetë Policisë që fillojë promovimin e oficerëve në bazë të meritokracisë.

E megjithatë, duket se prapë besimi te Gledis Nano është i madh. Pati nga ata, që pas këtyre “ndryshimeve” në Polici, thanë se kjo nuk ishte dora e Gledisit. Por as ky nuk është më justifikim. Kjo do të thotë që prapë, edhe kësaj here drejtori i Përgjithshëm i Policisë nuk qenka i lirë të emërojë oficerë të rinj, ashtu si vetë ai. Të promovojë njerëz të pa përfolur, që entuziazmi i një detyre të rëndësishme, të lartë, do i bëjë të pa kapur nga krimi, do i bëjë më të zellshëm për të arritur rezultate. Nëse vërtet duhet ndryshuar Policia e Shtetit, vetëm në këtë mënyrë mund të ndryshohet, me promovime të rinjsh, jo me riciklimin e atyre që duke qenë për shumë vite në rolin e drejtuesit, kanë harruar që në fund të fundit janë policë.