Vendosni fjalën kyçe....

Lulzim Basha: 95 % e demokratëve më duan mua, s’dua ta vë Berishën në pozitë inferioriteti


Lulzim Basha ka folur sot në një konferencë për mediet lidhur me situatën e tij me liderin historik të PD-së, Sali Berisha.

Basha tha se është treguar i vetëpërmbajtur dhe nuk ka dalë para anëtarësisë së PD-së si Berisha, pasi siç shprehet ai nuk dëshiron ta vendosë Berishën në “pozitë inferioriteti”. Nga ana tjetër, Basha kërcënoi mbështetësit e Berishës në parti, se do u japë atë faturë që nuk ua ka dhënë në këto 8 vite.

 “Kam dalë më shumë se çdo kryetar i PD-së në këto 30 vite dhe do të dal përsëri, por unë nuk jam nga ata që shfrytëzoj momente të tilla për të bërë garë se kush e ka autokolonën më të gjatë dhe se kush i mbush sallat më shumë sepse e di që ajo është një garë e lehtë për mua dhe nuk është e drejtë ndaj askujt, as ndaj zotit Berisha ta vendos në një pozitë të tillë inferioriteti. Plus që kjo nuk është mes meje dhe zotit Berisha, s’ka qenë kurrë dhe s’kishte për të qenë kurrë kjo situatë.

Situata dihet fare mirë: vendimarrja ka ardhur pas një vendimmarrje të SHBA-ve dhe interesit më të mirë të demokratëve dhe të nesërmes së shqiptarëve, të cilës nuk mund t’i shërbejmë pa një Parti Demokratike të fortë përballë Edi Ramës, nuk i shërben përçarja e partisë për interesa të Lulzim Bashës dhe as të Sali Berishës dhe prandaj jam vetëpërmbajtur dhe do vazhdoj të vetëpërmbahem me besimin dhe bindjen më të thellë se siç jam i qartë unë, janë të qartë demokratët dhe shumica e shqiptarëve. Dhe me thirrje ndaj çdo kujt që është i paqartë apo i zemëruar të qetësohet dhe të qartësohet. Ndërsa oportunistëve dhe inatçorëve iu them që rruga pa krye ku jeni futur dhe abuzimi që i bëni gjendjes aktuale të ish-liderit historik do t’ju vijë me faturën që s’jua kam dhënë këto 8 vite, politike sigurisht.”– ka deklaruar Basha.

Gjatë fjalës së tij, Basha u shpreh se sipas sondazheve të tij, 95% e demokratëve duan atë që t’i udhëheqë: “Nga sondazhet e mia, 95% e demokratëve duan të udhëheq betejën ndaj Rama-Doshi-Rakipi, e të udhëheq betejën për të dalë nga llumi i trazicionit.”