Vendosni fjalën kyçe....

Manja pas mbledhjes së qeverisë: Do ngrihet Drejtoria Antikorrupsion, të pastrojmë administratën


Pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, njoftoi se është vendosur ngritja e Drejtorisë Antikorrupsionit, që do të luftojë korrupsionin në administratën publike.

Gjatë fjalës së tij para gazetarëve, Manja paralajmëroi se në ditët në vijim do të kemi edhe rastet e para të goditjes së korrupsionit në administratë.

 “Sot kaluam në qeveri vendimin për krjimin, organizimin dhe funskionimin e rrjetit të koordinatorëve antikorrupsion në Republikën e Shqipërisë.

Vendimi i sotëm është një nga hapat më të rëndësishëm rregullator dhe institucional të ndërmarrë deri më sot në luftën kundër korrupsionit në administratën publike. Krijimi i një drejtorie antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë, do të shtrihet në 47 institucione shtetërore. 

Do të ushtrojë veprimtarinë parandaluese, do rishikojë të gjithë kuadrin rregullator dhe praktikat me shkallë të lartë korrupsioni, do të hartojë një strategji të qartë kundër korrupsionit, do të trajtojë të gjitha rastet korruptive. Gjithashtu, do të ketë veprimtari ndërgjegjësuese, për të sensibilizuar qytetarët për pasojat e korrupsionit në Shqipëri dhe efektet negative që ka ai në administratën publike për mbarëvajtjen e ekonomisë.

Agjencia ka suportin e partnerëve tanë në luftën kundër korrupsionit. Bashkëpunimi kapilar i kësaj drejtorie korrupsion do të jetë me agjencitë ligjzbatuese në vend, pasi fenomeni i korrupsioni frenon zhvillimin e ekonomisë shqiptare. Kjo drejtori do të vetëpastrojë administratën nga punonjës që janë aty për agjenda personale. Është një drejtori antikorrupsion që me mbështetjen e qeverisë do të zbatojë misionin që ka marrë përsipër. Do të kemi raste konkrete në ditët në vazhdim. Unë do ua komunikoj rastet konkrete të korrupsionit në institucionet shtetërore.”- tha Manja.