Vendosni fjalën kyçe....

U kapën me 5 milionë lekë në makinë para zgjedhjeve, SPAK mbyll hetimet për Denis Xholin dhe Abjon Cekun


SPAK ka përfunduar hetimet për dy të dyshuarit për “korrupsion në zgjedhje” Denis Xholi me detyrë jurist i Bashkisë Bulqizë dhe Abjon Cekun.

Dy personat dyshohen se kanë shpërndarë në Njësinë Administrative Maqellarë shuma monetare tek persona të tjerë, me qëllim për të blerë votat në zgjedhjet e 25 Prillit.

Po ashtu Denis Xholi dyshohet se gjatë orarit të punës është vënë në mbështetje të kandidatëve për deputetë dhe të subjekteve zgjedhore.

Sjellim ndërmend që simpatizantë të Partisë Demokratike bllokuan në Maqellarë mjetin me të cilin udhëtonin dy personat e lartpërmendur, pasi po transportonin para në këmbim të votave. Gjatë kontrollit të policisë u gjetën 5 milionë lekë të vjetra, materiale udhëzuese për të votuar si dhe postera elektoralë.

NJOFTIMI I SPAK-ut

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka përfunduar hetimet paraprake për proçedimin penal nr.136 viti 2021, në ngarkim të të pandehurve Denis Xholi dhe Abjon Ceku, me banim në Dibër, të hetuar me masën e sigurimit personal “arrest në burg”.

Nga veprimet hetimore të zhvilluara në kuadër të këtij proçedimi penal janë mbledhur prova me anë të të cilave është provuar se i pandehuri Denis Xholi, në bashkëpunim me të pandehurin Abjon Ceku, kanë shpërndarë në Njësinë Administrative Maqellarë shuma monetare tek persona të tjerë, me qëllim përcaktimin e mënyrës së votimit të zgjedhësve, në zgjedhjet parlamentare të zhvilluara në datën 25.04.2021.

Po kështu, nga hetimet është provuar se i pandehuri Denis Xholi, i cili ka ushtruar funksionin e përgjegjësit të zyrës juridike në Bashkinë Bulqizë, në kundërshtim me parashikimet e nenit 91 të Kodit Zgjedhor, gjatë orarit të punës është vënë në mbështetje të kandidatëve për deputetë dhe të subjekteve zgjedhore.

Në përfundim të hetimeve, i pandehur Denis Xholi është akuzuar se ka kryer veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, të parashikuar nga nenet 328-25 dhe 328/a/1 të Kodit Penal, ndërsa i pandehuri Abjon Ceku është akuzuar se ka kryer veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 328 e 25 të Kodit Penal.

Prokuroria e Posaçme sot në datën 18.10.2021 ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka dërguar në Gjykatën e Posaçme për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar kërkesën për dërgimin në gjyq të çështjes penale në ngarkim të të pandehurve Denis Xholi dhe Abjon Ceku.