Vendosni fjalën kyçe....

Prokuroria e Tiranës heton dy ekspertët, dyshohet se kanë bërë ekspertizë të rremë për vetvrasjen e Eugert Lazajt


Dy ekspertët që kanë bërë akt-ekspertimin e armës me të cilën dyshohet të jetë vetëvrarë biznesmeni Eugert Lazaj, janë vënë nën hetim nga Prokuroria e Tiranës. Sipas informacioneve nga organi i akuzës, dyshohet të jetë kryer një ekspertizë e rremë e armës me të cilën është kryer krimi, pasi rezultojnë dy variante të ndryshme përsa i përket akt-ekspertimit të plumbit që i mori jetën Lazajt.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur orët e para të mëngjesit të datës 30 korrik të vitit të vitit të kaluar, në vilën luksoze të 37-vjeçarit, në periferi të kryeqytetit. Hetimi penal ka nisur për ekspertët që kanë bërë akt-ekspertimin e armës së krimit që u gjet në dorën e Eugert Lazaj.

Ngjarja u hetua si vetëvrasje dhe për këtë arsye u pushuan dhe hetimet. Por në duart e grupit të hetimit kanë mbërritur dy akt-ekspertime të armës tip pistoletë që u gjet në vendin e ngjarjes. Disa ekspertë kanë arritur në përfundimin që fisheku i përket armës që u gjet në vendin e ngjarjes, ndërsa ekspertët e tjerë kanë theksuar faktin që plumbi, nuk i përket pistoletës që u gjet në skenën e krimit, shkruan MCNTV.al. Prokuroria ka ngritur dyshime se ekspertët kanë firmosur akt-ekspertime të rreme. Në bazë të hetimeve do të arrihet në një përfundim nëse ekspertët kanë vepruar për shkak të paaftësisë apo kjo ngjarje mund të sjellë të tjera vijime.

Për këtë, grupi hetimor pritet të marrë edhe ekspert të pavarur për të arrritur në një përfundim të saktë për sa i përket akt-ekspertimit të armës që iu gjet në duar viktimës.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *