Vendosni fjalën kyçe....

Jorida Tabaku: Parlamentin po e ktheni në noter për çdo ndryshim buxhetor, Kushtetutën e keni kthyer në fletore bakalli


Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka deklaruar se Parlamenti i Shqipërisë është kthyer në një noteri që bën ndryshime në buxhet. Ajo theksoi se vetëm këtë vit janë bërë 28 herë ndryshime në buxhet.

Tabaku u shpreh gjithashtu se qeveria e ka kthyer jo vetëm Parlamentin, por edhe Kushtetutën në fletore bakalli.

“Të flasësh por edhe të dëgjosh nga mëngjesi në darkë se çfarë duhet të thuash, për më tepër edhe nga persona që sot nuk e meritonin të ishin as zyrtarë shteti jo përfaqësues të popullit në nivelet më të larta, nivel zv.kryeministri. Në 8 vite në fakt sa herë kam ardhur këtu në Parlament jam përpjekur të flas me fakte, me shifra, me argumente, pa ofenduar askënd. Por leksione qytetarie nga këta që ofendojnë nga mëngjesi në darkë, unë nuk besoj se pret askush nga ana jonë.

Sa herë kemi ardhur në këtë parlament, çdo ditë në çdo vendim që kanë marrë, në çdo ligj që kanë sjellë, çdo ditë e më shumë kanë futur duart në xhepin e qytetarëve. E parlamenti voton symbyllazi, nuk bën asnjë ndryshim, nuk shohin çfarë i sjellin. ‘Po votoni kundër vaksinimit’, tha. Po çfarë ka sot rritja e borxhit me 110 milionë euro?! Ka 1 milionë për vaksinat. Ka për Teatrin Kombëtar. Janë duke sfiduar edhe Gjykatën Kushtetuese duke i dhënë fonde Bashkisë së Tiranës për Teatrin Kombëtar. Janë duke kaluar fonde për mirëmbajtje për AKSH-in. Janë duke kaluar fonde dronët.

Të gjitha të parashikueshme. Ia kam thënë komisionit edhe këtu në seancë, nga mëngjesi deri në darkë, e mbledhim parlamentin sa herë duhen vendime për qytetarët, votojmë me të dyja duart pro edhe për vaksinimin, në qoftë se duhet edhe për rindërtimin me gjithë kontratat abuzive dhe korruptive që janë duke firmosur çdo ditë. Por nuk mund ta kthejmë Parlamentin në një noter të çdo ndryshimi buxhetor që këto duan të bëjnë. 38 akte normative, ndryshime kanë bërë vitin e kaluar, tha këshilltari i presidentit, 28 këtë vit. Çfarë është kjo?! Është paaftësi?! Është arrogancë?! Që jo vetëm buxhetin por edhe Kushtetutën e kanë kthyer në një fletore bakalli që na mbledhin ne këtu sa herë zgjohen me idenë për të ndryshuar diçka. Por unë nuk e di që ka qeveri që 4 herë brenda vitit të ndryshojë buxhetin?! Nuk e di a qeveri që në fillim të vitit 2021 këtë vit ne do të vaksinojmë?! Është minimumi i përgjegjësisë zyrtare. Është minimumi i përgjegjësisë përpara qytetarëve dhe pastaj vijnë na shesin ne fonde për rindërtimin e fonde për tërmetin.”- deklaroi deputetja.