Vendosni fjalën kyçe....

Gledis Nano takohet me krerët më të lartë të Guarda di Finanzas


Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka pritur sot në një takim delegacionin e lartë të Guardia di Finanzas, të kryesuar nga Gjeneral Brigade Giuseppe Arbore, i cili është drejtues i Repartit III të Komandës së Përgjithshme të Guardia di Finanzas.

Nano gjatë fjalës së tij vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm midis Policisë së Shtetit dhe homologëve të tyre në shtetin fqinj në luftën kundër trafikut të drogës dhe shprehu gadishmërinë për forcimin e këtij bashkëpunimi.

 “Mirënjohje për punën e shkëlqyer që ekipi juaj po bën në Shqipëri, për monitorimin ajror, që ka si qëllim parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike. Ju falënderoj për bashkëpunimin e deritanishëm dhe ju shpreh gatishmërinë dhe vullnetin tim personal dhe të Policisë së Shtetit, për forcimin e këtij bashkëpunimi, pasi lufta kundër kultivimit të kanabisit është një nga prioritetet kryesore të qeverisë shqiptare dhe një sfidë personale e imja si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për ta luftuar deri në zhdukje këtë paligjshmëri, ndaj kërkoj me shumë sinqeritet mbështetjen dhe bashkëpunimin tuaj. Vlerësoj punën e përfaqësuesve të Interforcës në Shqipëri, për koordinimin e veprimeve dhe shkëmbimin e informacionit në kohë, për parandalimin dhe goditjen e tentativave për trafiqe të paligjshme.”- tha Nano.

Ndëkohë, gjenerali Giuseppe Arbore, në emër të delegacionit, i ka uruar Drejtorit të Përgjithshëm Gledis Nano, suksese në detyrën e re dhe i ka ofruar mbështetje për realizmin e prioriteteve në interes të të dy vendeve.

 “E vlerësoj shumë dëshirën dhe vullnetin tuaj për të bashkëpunuar dhe në përgjigje të kërkesës suaj, pa hezituar, menjëherë ju ofroj që një përfaqësues i Policisë së Shtetit të vendoset në komandën e përgjithshme të Guardia di Finanzas, gjë që do të sjellë koordinim dhe bashkëpunim më efikas mes Policisë së Shtetit dhe Guardia di Finanzas.”- tha Arbore.

Nga ana tjetër, drejtuesi i Departamentit të Koordinimit të Informacionit dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Komandës së Përgjithshme, Gjeneral Brigade Cosimo di Gesu ka ofruar mundësinë që oficerët e Policisë shqiptare të kryejnë trajnime të ndryshme në Shkollën e Policisë Ekonomiko-Financiare të Guardia di Finanzas.

I pranishëm në takim ishte edhe ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Buçi. Ai premtoi një mbështetje akoma më të madhe të Policisë italiane dhe të ambasadës italiane, për Policinë e Shtetit.

Në takim u ra dakord që në muajin nëntor të zhvillohet një konferencë e përbashkët për të publikuar rezultatet e arritura përgjatë vitit 2021.