Vendosni fjalën kyçe....

“U vetëplagos dhe inskenoi ngjarje të rreme” – Një ditë pas ngjarjes, policia arreston 24-vjeçarin dhe bashkëpunëtorin e tij


Të tjera detaje janë zbuluar nga policia lidhur me ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në Shkodër. Janë vënë në pranga 20-vjeçari me inicialet G.M., dhe 24-vjeçari Isak Mehmedaj, të cilët akuzohen se tjetërsuan të vërtetën.

Mehmetaj deklaroi se ishte plagosur me armë zjarri nga disa persona të paidentifikuar, por nga hetimet rezultoi se ai ishe vetëplagosur në mënyrë aksidentale, me armë zjarri në bark.

Me ndihmën e 20-vjeçarit G. M., Mehmetaj është përpjekur të inskenojë një tjetër skenar mbi ngjarjen duke fshehur dhe provat materiale.

Ai është shprehur para uniformave blu se kishte dalë për të hedhur mbeturinat kur është qëlluar nga një distancë e largët.

Isak Mehmedaj është kushëri i Hydajet Mehmedajt. Ky i fundit ndodhet në burg për shkak se akuzohet se bashkë me të vëllanë, kanë ekzekutuar “të fortin” e Shkodrës, Ridvan Ramazani.

DETAJET E POLICISË

U plagos aksidentalisht me armë zjarri dhe deklaroi se e kishin plagosur disa persona të panjohur, Policia zbardh ngjarjen dhe vë në pranga 24-vjeçarin.

Në pranga edhe një 20-vjeçar i cili sëbashku me 24-vjeçarin fshehën dhe tjetërsuan të vërtetën.
Në vijim të veprimeve të kryera nga strukturat hetimore të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mëngjesin e datës 9 tetor 2021, ku në spitalin rajonal shkodër u paraqit për ndihmë mjekësore, i plagosur me armë zjarri 24 vjeçari, I.M, i cili deklaroi se ishte plagosur me armë zjarri në fshatin Mushan, Shkodër, nga disa persona të paidentifikuara, nga hetimet e thelluara rezultoi se:
Shtetasi I.M., është vetëplagosur në mënyrë aksidentale, me armë zjarri në bark, jashtë rrezikut per jetën. Ky shtetas në bashkëpunim me shtetasin G. M., kanë fshehur vendin e ngjarjes, kanë inskenuar një variant ndryshe të ngjarjes, duke u përpjekur të ndryshojnë tërësisht rrethanat e ngjarjes, si dhe kanë fshehur provat materiale.
Në përfundim të veprimeve hetimore, është arrestuar në flagrancë shtetasi Isak Mehmedaj 24 vjeç, banues ne fshatin Mushan Shkoder, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, u arrestua në flagracë dhe shtetasi G. M., 20 vjeç, banues në fshatin Mushan, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër për veprime të mëtejshme.