Vendosni fjalën kyçe....

Kriza Energjetike/ Libani do të vijojë në terr për disa ditë


Për shkak të mungesës së karburantit, dy nga termocentralet më të mëdhenj të Libanit u detyruan të mbyllen të Shtunën, duke e lënë në errësirë vendin e goditur nga kriza Energjetike.

Siç shkruan RT, ndërprerja e energjisë elektrike në vendin me gati gjashtë milionë njerëz pritet të zgjasë për disa ditë.

“Rrjeti energjetik libanez ndaloi plotësisht punën mesditën e sotme dhe nuk ka gjasa që ai të funksionojë deri të hënën e ardhshme, ose për disa ditë.”- tha një zyrtar i lartë për agjencinë e lajmeve Reuters.

Autoritetet do të përpiqen të përdorin rezervat e naftës të ushtrisë në mënyrë që termocentralet të mund të rifillojnë përkohësisht operacionet, tha ai, por paralajmëroi se kjo nuk do të ndodhë së shpejti.

Stacionet e prekura të Deir Ammar dhe Zahrani kishin siguruar 40% të energjisë elektrike të Libanit, sipas operatorit të tyre, Electricité Du Liban.

Objekteve iu mbaroi karburanti sepse qeverisë i mungonin valutat e huaja për të paguar furnizuesit e huaj të energjisë. Anijet që transportonin naftë dhe gaz thuhet se kishin refuzuar të zbarkonin në Liban derisa pagesat për dërgesat e tyre të ishin bërë në dollarë amerikanë.

Paundi libanez ka rënë me 90% që nga viti 2019, në mes të krizës ekonomike, e cila është thelluar më tej nga bllokimi politik. Fraksionet rivale nuk kanë qenë në gjendje të formojnë një qeveri në 13 muajt që nga shpërthimi vdekjeprurës në portin e Bejrutit, duke gjetur gjuhën e përbashkët vetëm pas miratimit të një kabineti të ri në shtator.

Situata e furnizimit me energji elektrike ishte e tmerrshme në vend para ndërprerjes së plotë, me banorët që mund të kenë energji elektrike vetëm dy orë në ditë.

Disa qytetarë janë mbështetur në gjeneratorë privatë me naftë për të furnizuar shtëpitë e tyre, por pajisje të tilla janë të pakta në vend.