Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku: Vendimi i Bashës i pashmangshëm, të gjithë bashkë kundër së keqes së madhe që është Rama


Nënkryetarja e PD-së, Tabaku, tha mbrëmjen e sotme se forca politike ku bën pjesë do i shohë protestat si një mënyrë reagimi kundër keqqeverisjes.

Ajo theksoi se PD-ja nuk ka asnjë shmangie nga aksioni opozitar dhe se e keqja e madhe është Edi Rama e qeveria e tij.

“Ne politikën do ta bëjmë në parlament, jemi duke përdorur të gjitha hapësirat në komisione për këto. Nuk ka rëndësi se kush e thërret protestën. Pak ditë më parë qytetarët thirrën një protestë dhe iu bashkuan shumë anëtarë të PD, shumë deputetë. Dje zoti Basha e tha që nuk kemi asnjë kompleks që të thërrasim protesta. Ne duhet ta shikojmë protestën edhe një mënyrë reagimi për keqqeverisjen. Besoj që e keqja e sotme është Edi Rama. Besoj që të gjithë duhet të jemi bashkë kundër Edi Ramës. Është një moment që do të kalojë por e rëndësishme është që aksioni opozitar nuk ka asnjë devijim. PD ka treguar që prodhon debat.” – tha Tabaku në emisionin ‘Kjo Javë’ në Neës24.

Ajo iu kthye edhe njëherë vendimit të kreut të PD-së Basha për përjashtimin e ish-kryeministrit Berisha nga grupi parlamentar.

Tabaku shtoi se vendimi ka qenë i vështirë po i pashmangshëm. Nënkryetarja e PD-së tha më tej se demokratët kanë ngelur në opozitë për shkak të masakrave zgjedhore.

“Vendimi që mori zoti Basha nuk ishte një vendim i lehtë, ishte një vendim i vështirë dhe i pashmangshëm. Duhet të shohim se si ta bëjmë PD-në forcë qeverisëse. Pavarësisht se jemi superiorë në krahasim më çdo fushë në qeveri fatkeqësisht ndodhemi në opozitë prej disa masakrave si ajo zgjedhore. Kushdo që do të japë kontributin e vet të vazhdojë ta japë në PD. Unë e kam parë problematikën që ne kemi dhe e kemi diskutuar. Edi Rama punon jo për qytetarët, por si të mbajë pushtetin. Ne kemi nisur një proces të brendshëm dhe kushdo ka reflektuar. Prania jonë në terren është një nga elementët që mund të ishte përmirësuar. Ne kemi pasur më pak deputetë për të kontrolluar territorin përballë një armate. Të marrësh një numër të tillë votash besoj se është një arritje e madhe dhe motivon këdo që është përfshirë dhe i kemi të gjitha mundësitë për të qenë forcë qeverisëse. Ne kemi vendosur 3 prioritete: Reformë e plotë Territoriale, Reformë e plotë Zgjedhore, Reformë Kushtetuese” – tha Tabaku.