Vendosni fjalën kyçe....

Importet e energjisë, në dy vite OSHEE pagoi 177 milionë euro, 56% e vlerës në 2021


Situata problematike hidrike në dy vitet e fundit ka detyruar Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike të plotësojë konsumin në vend përmes importit që në 2020-2021 ka kapur një vlerë financiare prej 177 milionë euro.

Të dhënat zyrtare të importeve nga OSHEE Group tregojnë se shumica e kësaj vlere të paktën 56 për qind  i takon importeve të këtij viti nga janari deri më 10 tetor teksa sasia e importuar e energjisë është më pak se gjysma e një viti më parë duke reflektuar çmimin e lartë me të cilën po sigurohet kjo energji.

Çmimet e importeve të cilat kanë pasur një mesatare të qëndrueshme nga janari në qershor me një vlerë 50.5  euro/ MWh kanë hyrë në një cikël të paprecedent rritjeje në javët e fundit duke kulmuar në ankandin e fundit të Furnizuesit të Tregut të Lirë ku çmimi mestar i importit arriti 233 euro/MWh.

Përshkallëzimi i çmimeve me tendencë rritjeje ka ardhur nga ankandi në ankand dhe nga muaji në muaj. Në korrik çmimi mestar i importit ishte 107. 6 euro/mëh,  në gusht 128. 2 euro/MWh dhe në shtator 165 euro/MWh.

Aktualisht për tetorin FTL ka siguruar blerjen deri në datën 10 tetor teksa mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë me situatën në vijim në kushtet kur nuk bëhet me fjalë vetëm për çmime të larta por për mungesë sasie të disponueshme për të furnizuar tregun.

Paralajmërimi për një situatë të jashtëzakonshme u bë një ditë më parë edhe nga Kryeministri Edi Rama i cili nënvizoi se qeveria do t’i gjendet pranë shtresave në nevojë që mund të preken nga pasojat e çmimeve.

Një dalje e jashtzakonshme ne fundjave e kreut të qeverisë dhe rritja çmimeve  në nivele rekord të energjisë jo vetëm në Shqipëri por në mbarë botën duken se janë kambana se shumë shpejt tregu mund t’i nënshtrohet çmimeve të reja në një përpjekje për të shpëtuar nga kolapsi kompanitë e sektorit të cilat kanë pasur humbje të larta financiare. Gjithsesi kjo mbetet për tu parë.

Në Bursën Hungareze çmimet për pikun në datën 4 tetor paraqiten me një rritje 192% dhe saktësisht me vlerën 219 euro/MWh

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor