Vendosni fjalën kyçe....

Ambasadorja Kim me ministren Balluku në zonën ku do të ndërtohet HEC-i i Skavicës: E kënaqur që jemi në Veri me një nga kompanitë më të mëdha amerikane


Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku ka shoqëruar sot ambasadoren amerikane Yuri Kim në zonën ku do të ndërtohet hidrocentrali i Skavicës.

Gjatë fjalës së saj, ambasadorja Yuri Kim tha se është e kënaqur që ndodhet në Kukës së bashku me një nga kompanitë më të mëdha dhe më të shkëlqyera amerikane. Ajo rikthesoi tre prioritetet e SHBA-ve në Shqipëri.

“Kur mbërrita në Shqipëri, unë e bëra shumë të qartë që kemi tre prioritete, demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin. Mbrëmë kemi festuar 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri.

Sikurse jeni në dijeni, ne kemi bërë përparim. Sa i përket mbrojtjes, Shqipëria pati mundësi të mikpriste një nga stërvitjet më të mëdha ushtarake të Ballkanit. Gjithashtu jeni në dijeni, në frontin e demokracisë ne kemi bërë përparim siç është për shembull gjithë mbështetja për reformën në drejtësi, dhe për sa i përket biznesit ne do vazhdojmë të ecim përpara pavarësisht çdo pengese.
Sikurse më keni dëgjuar unë jam shprehur gjithmonë për rëndësinë e të sjellit më shumë mundësi ekonomike në veri të Shqipërisë dhe është kënaqësi e madhe që ndodhem këtu në Kukës së bashku me një nga kompanitë më të mëdha dhe më të shkëlqyera amerikane. Jemi vërtetë të kënaqur që ndodhemi këtu në fazat e hershme të këtij projekti dhe presim me kënaqësi se çfarë do të ndodhë më tej.”-deklaroi ambasadorja Kim.

Ministrja Balluku u shpreh se ndërtimi i HEC Skavicës nuk është thjesht një vepër, por një ëndërr për të cilën tashmë ka nisur puna për t’u bërë realitet. Ndërtimi i kësaj vepre sipas saj, jo vetëm rrit sigurinë energjetike, por edhe kapacitetet prodhuese të Shqipërisë duke avancuar kështu drejt ambicies për ta bërë vendin tonë në një eksportues të energjisë.