Vendosni fjalën kyçe....

SHBA-ja e Britania kryejnë sulme kundër grupit Houthi në Jemen


Shtetet e Bashkuara dhe Britania nisën sulme nga ajri dhe deti kundër objektivave ushtarake Houthi në Jemen në përgjigje të sulmeve të lëvizjes ndaj anijeve në Detin e Kuq, një zgjerim dramatik rajonal i luftës mes Izraelit e Hamasit në Gaza.

Ndërsa dëshmitarët në Jemen konfirmuan për Reuters shpërthime në gjithë vendin, Presidenti Joe Biden paralajmëroi në një deklaratë të enjten vonë se nuk do ngurronte të merrte veprime të mëtejshme nëse do ishte e nevojshme.

“Këto sulme të synuara janë një mesazh i qartë se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë nuk do tolerojnë sulme ndaj personelit tonë ose nuk do lejojnë aktorët armiqësorë të rrezikojnë lirinë e lundrimit”, tha Biden.

Ministria e Mbrojtjes e Britanisë tha në një deklaratë se “të dhënat e hershme tregojnë se aftësia e rebelëve Houthi për të kërcënuar transportin tregtar ka marrë një goditje”.

Irani, i cili mbështet Houthit, i dënoi ashpër sulmet. Një zëdhënës i Houthi-s tha se nuk kishte asnjë justifikim për sulmet dhe se grupi do vijojë të godasës anijet që shkojnë drejt Izraelit.

Rusia tha se kishte kërkuar një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të diskutuar sulmet ushtarake.

Houthi-t thonë se sulmet e tyre në rrugët e anijeve në Detin e Kuq janë një shfaqje e mbështetjes për palestinezët dhe Hamasin, grupin që kontrollon Gazën.