Vendosni fjalën kyçe....

Afrim Qëndro jep dorëheqjen nga posti i nënkryetarit të bashkisë së Vlorës: Këtu i kam mbyllur detyrat, do shkoj në Tiranë


Nënkryetari i bashkisë së Vlorës, Afrim Qëndro ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme nga posti i tij.

Pas dorëheqjes, Qëndro tha në një deklaratë për mediet se besonte se detyrat e tij në Vlorë i kishte mbyllur dhe se do të ishte në strukturat e PS-së në Tiranë.

“Unë në fakt sot nuk dorëzoj vetëm detyrën si nënkryetar bashkie, unë kam ardhur politikisht me vendim të kryesisë së Partisë Socialiste, që në 2016-ën si koordinator elektoral i PS-së për qarkun e Vlorës. E kam kryer këtë detyrë në zgjedhjet e 2017-ës, gjithashtu në pushtetin vendor në 2019-ën dhe në zgjedhjet e fundit parlamentare që u bënë.

Natyrisht në një moment të caktuar kryeministri më ka kërkuar në korrikun e vitit të kaluar në asamblenë e PS-së të Vlorës, që të kryeja edhe detyrën e nënkryetarit në bashkinë e Vlorës, në sektorin e punëve publike. Dhe ka patur 2 objektiva puna në bashki: ndjekjen, zhvillimin shtytjen para të të gjithë projekteve të qveerisë shqiptare që nuk janë të pakta në bashkinë e Vlorës dhe ndërkohë gjithë punët publike që deri diku çalonin në bashkinë e Vlorës.

Unë mendoj se i kam mbyllur detyrat e mia këtu, ne kemi mbaruar fushatën elektorale, kemi marrë një rezultat shumë të mirë zgjedhor, drejtuesi politik me të cilin unë isha bashkëudhëtar ka ikur me një detyrë të rëndësishme në Partinë Socialiste, ka ardhur një drejtues i ri politik dhe unë mendoj se edhe detyrat e mia këtu në bashkinë e Vlorës kanë mbaruar, por edhe detyrat politike.

Prandaj do largohem të në Tiranë, pranë familjes time natyrisht dhe në një detyrë partie në Tiranë.”- deklaroi Qëndro.
Në një moment, gazetarët e pyetën Qëndron nëse i ka mbushur gropat në rrugë, që ia ka lënë porosi kryeministri Edi Rama.

 “Në të vërtetë këtë deklaratë e ka bërë pasi i kemi fituar zgjedhjet. Që të jemi korrektë. Në funskionimin e punëve në Vlorë ka pasur disa gropa dhe nuk e kam fjalën vetëm për gropat e asfaltit në rrugët e qytetit që përgjithësisht janë mbyllur. Dhe unë jam inxhinier dhe nuk e kam turp punën edhe nëse do të vazhdoja vetë t’i mbushja gropat.”– u shpreh Qëndro.