Vendosni fjalën kyçe....

Makina luksoze e Ramës, përgjigjet zyra e kryeministrit: Është marrë me qira nga Partia Socialiste për kreun e saj


Kryeministri Rama është parë sot të shkojë në Presidencë me një makinë luksoze GMC. Megjithatë kreu i qeverisë ka kohë që lëviz me një mjet që kushton jo pak. Supermjeti ka tërhequr jo pak vëmendjen dhe kureshtjen e publikut teksa rrjetet sociale kanë zier nga komentet e pyetjet.

Gazetarja Esiona Konomi, shkruan se i ka drejtuar qeverisë prej disa ditësh disa pyetje lidhur me mjetin luksoz. Ajo pyet nëse makina është e blerë me fonde nga buxheti i shtetit, kush është E.Hoxhallari dhe a ia ka dhënë ajo makinën në përdorim Ramës. Po kështu Konomi pyet pse i është dashur kryeministrit një makinë e re dhe çfarë elementësh sigurie ka ajo.

Ditën e sotme ka ardhur përgjigja e zyrës së shtypit të kryeministrit Rama që sqaron se makina nuk është blerë por është në pronësi të një subjekti privat që shet e jep me qira mjete.

Në përgjigjen e Fugës thuhet se PS-ja ka një kontratë me këtë subjekt privat dhe se mjeti i marrë me qira nuk ka asnjë element të veçantë sigurie po është marrë për shkak të amortizimit të mjetit të mëpërparshëm në përdorim nga kreu i PS-së.

Në gjithë këtë histori mbetet ende mister emri i administratores së kompanisë që ka dhënë mjetin me qira, që deri tani identifikohet vetëm si E.Hoxhallari.

Përgjigjia zyrtare e zyrës së shtypit të Ramës

“Automjeti në fjalë është në pronësi të një subjekti privat, me aktivitet tregtar të regjistruar sipas ligjeve në fuqi. Partia Socialiste ka një kontratë qeraje me subjektin, i cili ushtron prej më shumë se 5 vitesh aktivitet në fushën e shitjes dhe dhënies me qera të automjeteve. Automjeti nuk ka elementë të veçanta sigurie. Ai është marrë pasi automjeti i mëparshëm në përdorim të Kryetarit të PS, nuk plotësonte më standardet e lëvizjes për shkak të amortizimit si pasojë e vjetërsisë dhe numrit të madh të kilometrave të kryer. Me këtë rast theksojmë se kryeministri nuk ka blerë një automjet të ri me fondet e buxhetit të shtetit, qysh nga ardhja e tij në detyrë.”

Makina e kryeministrit është GMC Yukon XL, që fillon nga 50-60 mijë dollarë për modelet bazë, por mund të kapë vlera shumë më të mëdha në varësi të opsioneve apo modifikimeve që mjeti mund të pësojë për çështje sigurie apo performance.

Nuk dihet ende si duket makina e kreut të qeverisë nga brenda por një GMC Yukon XL e vitit 2020, e ngjashmë me atë të kreut të qeverisë ka këtë pamje nga brenda.