Vendosni fjalën kyçe....

“SHBA po fshin atë pak histori që ka” – Përplasje në rrjet pas heqjes së monumentit të gjeneralit Robert E. Lee


Përplasje të forta ka sjellë në rrjetet sociale heqja e monumentit të Gjeneralit Konfederal, Robert E. Lee, që u rrëzua në Virxhinia, SHBA. Planet për heqjen e tij u shpallën pas vrasjes së George Floyd.

Mosmarrëveshja mbi fatin e statujës së gjeneralit Lee arriti kulmin herët në mëngjes të mërkurën, kur punonjësit e bashkisë dolën me një vinç në sheshin ku ajo ndodhet dhe e shkulën. Ndërsa po e hiqnin statujën nga podiumi i saj i mbuluar me grafite, debati nëse ishte lëvizja e duhur për t’u bërë u ndez.

Lee, i përshkruar në librat e historisë si një udhëheqës i aftë, ishte komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së Shteteve Konfederative gjatë Luftës Civile Amerikane, duke udhëhequr Ushtrinë e Virxhinias Veriore deri në dorëzimin e saj në 1865.

Gjenerali gjithashtu kishte një anë objektivisht të errët , duke trashëguar skllevër, ndaj të cilëve, sipas disa dokumenteve, ai ishte mizor. Sidoqoftë, në një kontrast të dukshëm me reputacionin e tij, ai shprehu në një letër të datës 1856 se skllavëria ishte ‘një e keqe morale dhe politike’ dhe se Zoti do të siguronte emancipimin e tyre.

Reagimi në internet për heqjen e statujës së gjeneralit ka qenë i përzier, duke polarizuar një Amerikë tashmë të ndarë në çështjen se si të merren me trashëgiminë e figurave të diskutueshme historike. Ndërsa disa janë kënaqur me rrëzimin e monumentit të udhëheqësit të Konfederatës, të tjerë kanë pohuar se SHBA po shkatërron atë pak histori që ka.