Vendosni fjalën kyçe....

Hoxha takon homologub serb në Antalia: Qëndrime të ndryshme për Kosovën, por dialogu mbetet rruga



Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, është takuar me homologun serb Marko Gjuriç në kuadër të Antalya Diplomacy Forum 2026.

Në një reagim në rrjetet sociale, Hoxha bëri të ditur se bisedimet u përqendruan në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe përmes dialogut dhe bashkëpunimit konstruktiv, me synim forcimin e lidhjeve ekonomike dhe tregtare.

Ai vlerësoi gjithashtu gatishmërinë e Serbisë për hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Bujanoc, duke e cilësuar këtë si një hap pozitiv për bashkëpunimin mes dy vendeve.

Ministri shqiptar theksoi rëndësinë e ruajtjes dhe forcimit të bashkëpunimit rajonal, duke e cilësuar atë si rrugën më të besueshme drejt stabilitetit dhe zhvillimit të përbashkët.

Sa i përket çështjes së Kosovës, Hoxha nënvizoi se palët kanë qëndrime thelbësisht të ndryshme, por ritheksoi mbështetjen e Shqipërisë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, si e vetmja rrugë drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe njohjes së ndërsjellë.

Sipas tij, një marrëveshje përfundimtare mes dy vendeve do të kontribuonte në paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajon.