
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar Policinë e Shtetit për përdorimin e spray-t të njohur si “verbues ariu” ndaj protestuesve gjatë tubimit të një dite më parë.
Reagimi i tij vjen pasi policia publikoi një foto të mjetit që pretendon se është përdorur për shpërndarjen e turmës. Sipas Berishës, pamjet nuk përputhen me atë që është përdorur realisht në terren.
“Nga shikimi i vëmendshëm konstatohet se mekanizmi i hedhjes së spray-t i bombolës në dorën e policit është mekanizmi tipik i bombulave të verbuesit të ariut dhe është krejt tjetër nga ai që është shpërndarë për mashtrim nga policia,” shprehet ai.
Berisha e cilësoi këtë si një përpjekje për të fshehur të vërtetën, duke akuzuar autoritetet për manipulim publik pas përdorimit të një mjeti që, sipas tij, ka pasoja të rënda.
Ai theksoi se përdorimi i këtij lloji spray ndaj qytetarëve është i ndaluar dhe bie ndesh me standardet ndërkombëtare, duke e konsideruar një akt të rëndë.
Deklaratat e liderit të opozitës vijnë në një klimë të tensionuar politike pas protestës, ndërsa nuk ka ende një reagim të detajuar nga autoritetet për këto akuza.