Vendosni fjalën kyçe....

Patronazhistët, Komisioneri: Përgjigjet e AKSHI-t jo shteruese, Tatimet mungesë bashkëpunimi, PS përpunues por jo krijues


Përhapja me shpejtësi pak muaj më parë e një baze të dhënash që u lakua në atë kohë se përkiste Partisë Socialiste dhe rrodhi përmes një burimi në media duket se në fund është konkluduar me një hetim administrativ nga Komsioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Në një vendim të zbardhur në datë 19 gusht nënvizohet se cilat janë palët që janë përfshirë në këtë hetim dhe masat e mara ndaj tyre ku nuk kanë munguar rekomandimet por edhe gjobat.

Kështu nga institucionet publike të përfshira në këtë hetim kanë qenë Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, Agjencia e Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Partia Socialiste apo edhe media dhe palë të treta të tjera.

Sa i takon Drejtorisë së Gjendjes Civile, Komisioneri konstaton se të dhënat e këtij institucioni aksesohen nga një numër i lartë palësh.

Nga ana tjetër, Zyra e Komisionerit konstaton një sërë elementësh që përbëjnë shkelje të legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale nga ky kontrollues.

“Së pari, në lidhje me institucionet të cilëve ju është ofruar shërbimi (akses) në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, në raport me institucionet e parashikuara për të patur akses/shërbim në këtë regjistër, sipas Udhëzimit nr. 463. Siç parashtrohet më sipër, rezulton se janë 47 institucione publike/private të cilët kanë akses në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.

Nga përgjigjet e DPGJC, rezulton se, për kontrolluesin në fjalë, aspektet e sigurisë së të dhënave dhe marrëdhënieve me përpunues/bashkëkontrollues të tjerë (përfshirë mirëmbajtës) mbulohen nga AKSHI” thuhet në dokumentin e Komsionerit.

Pavarësisht argumentit të dhënë nga Gjendja Civile, Komsioneri ka nënvizuar se angazhimi i përpunuesve/bashkëkontrolluesve (të përcaktuar me akt nënligjor) nuk çliron kontrolluesin nga përgjegjësitë për të mbikëqyrur dhe monitoruar aspektet e sigurisë dhe konfidencialitetit të të dhënave që kontrolluesi është i autorizuar (me ligj) të përpunojë dhe administrojë.

Sa i takon Drejtorisë së Tatimeve e cila ka dërguar përgjigje me email Komsioneri vlerëson se vihet re mungesë bashkëpunimi dhe njohurie sa i takon mbrojtjes së të dhënave.

“Cilësisht, qasja dhe përgjigjet e DPT demonstrojnë mungesë bashkëpunimi, si dhe një mungesë të theksuar të njohurive lidhur me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale dhe, veçanërisht, detyrimeve që ky legjislacion parashikon për kontrollues që përpunojnë të dhëna personale në shkallë të gjerë, siç është DPT.

Mohimi i rolit të kontrolluesit (përgjigjja në pikën (i) më sipër) nga ana e DPT, konfirmon konstatimin e mësipërm lidhur me këtë kontrollues” thuhet në raport. DPT është gjobitur nga Komisioneri me një vlerë 1 milionë lekë.

Sa i takon pjesës së AKSHI-t, Komsioneri verën se ky i fundit është treguar bashkëpunues gjatë hetimit porse pavarësisht materialeve që ka vënë në dispozicion apo përgjigjeve që ka dhënë sa i takon rrjedhjes së të dhënave për votuesit e Republikës së Shqipërisë përgjigjet nuk janë shteruese. Dhënia e akesit tek të dhënat sipas Zyrës së Komsionerit është më i madh sesa parashikon kuadri ligjor.

“Zyra e Komisionerit nuk përjashton mundësinë që Baza e të Dhënave të jetë populluar nga të dhënat të cilat kontrollohen dhe/ose përpunohen nga institucionet objekt të këtij hetimi (dhe/ose subjektet e kontraktuara/nënkontraktuara prej tyre për ofrimin e shërbimeve të ndryshme për ngritje dhe mirëmbajtjen e sistemeve të infrastrukturës kritike, si dhe jo vetëm), rrjedhja e të cilave mund të jetë rezultat i mungesës së masave të sigurisë nga subjektet që kanë të drejtë t’i aksesojnë këto të dhëna, ose nga vetë institucionet ku këto të dhëna përbëjnë të dhëna parësore dhe/ose dytësore të bazave shtetërore të konstituuara në përputhje me legjislacionin në fuqi” nënvizon Komsioneri.

Sa i takon Partisë Socialiste duket se Komsioneri nuk ka arritur të provojë që kjo e fundit është ajo që ka krijuar këtë bazë të dhënash por e cilëson atë si një përdorues.

“Mosekzistenca e një baze të dhënash, të ngjashme me Bazën e të Dhënave, në asnjë territor tjetër të organizimit politik të PSSH në vend, përjashton këtë kontrollues nga dyshimi për autorësinë në krijimin dhe administrimin e Bazës së të Dhënave. Por, nga ana tjetër, meqenëse në Bazën e të Dhënave ekzistojnë edhe të dhëna të anëtarëve të këtij subjekti politik, përpunimi origjinar i të cilave është realizuar me vullnetin e tyre, bartja dhe administrimi i këtyre të dhënave në Bazën e të Dhënave nënkupton një përdorim të paautorizuar të tyre nga persona që mund të kenë patur akses në to, në tejkalim të qëllimit të përpunimit” thuhet në dokument.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor