Vendosni fjalën kyçe....

Unaza e Tiranës, Autoriteti Rrugor Shqiptar gjashtë tendera, fondi limit 69 milionë euro


Autoriteti Rrugor Shqiptar hapi këtë të hënë gjashtë procedura prokurimi në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik me një fond limit total prej 8.4 miliardë lekë apo rreth 69 milionë euro.

Bëhet fjalë për disa lote që i takojnë Unazës së Jashtme të Tiranës si dhe segmenteve nga Sheshi Shqiponja tek Bulevardi i Ri i Tiranës. Por cilat janë konkretisht procedurat dhe fondet limite përkatëse për secilën.

E para është ajo për ndërtimin e Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4 me një fond limit  2 miliardë lekë. Më pas është ndërtimi i lotit 5 me fond 1.93 miliardë lekë dhe vazhdon me ndërtimin e lotit 6 dhe 7 me fonde limite përkatësisht 1.8 miliardë lekë dhe 2.35 miliardë lekë.

Sa i takon loteve 4,5 dhe 6 në raportin teknik specifikohet se segmenti nis në fund të Lotit 3, i cili aktualisht është në proces përfundimtar punimesh, intersekton rrugën Ali Demi, kalon në Kodrën e Priftit, kalon mbi Kinostudio duke intersketuar rrugen Tiranë-Dajt, intersekton rrugën e Tufinës, dhe zbret deri në afërsi të lumit të Tiranës.

Sa i takon dy procedurave të tjera bëhet fjalë për Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri, Loti 2” dhe ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja – Bulevardi i ri – Shkozë, Urat mbi lumin Tirana respektivisht me kosto 2.48 miliardë lekë dhe 2.55 miliardë lekë.

Segmenti që nis nga Unaza e Madhe e Tiranës për të vazhduar drejt Bulevardit të Ri parashikon ndërtimin e një rruge 3.2 km, e cila fillon në “Sheshin Shqiponja” dhe vazhdon deri në lidhjen me “Bulevardin e Ri”.

Data për paraqitjen e ofertave për të gjithë procedurat është 19 shtatori ndërkohë që këto janë projektet e para të mëdha të investimeve të prokuruar për këtë vit. Në fund të vitit të shkuar ARRSH publikoi një sërë procedurash të tjera që lidheshin me nënkalimin tek TEG apo ne disa rrugë në Jug.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor