Vendosni fjalën kyçe....

Ku ndodhet realisht shëndetësia jonë?


Nga Erion Dasho

Para një viti qeveria shqiptare, ministria e shëndetësisë dhe enturazhi i tyre i bënin jehonë një publikimi krahasues për pothuajse krejt vendet e botës. Në atë publikim Shqipëria figuronte si vendi me shëndetësinë më të mirë në Ballkan dhe në disa indikatorë qëndronte më lart se Belgjika dhe Australia.

Si qëndronte e vërteta?

Publikimi bazohej tek të dhënat e raportuara nga vetë qeveritë. Në rastin e Shqipërisë, rilindasit i ishin rikthyer traditës së shquar të para viteve 1990 kur Shqipëria merrte çmim për ushqimin, ndërkohë që popullata vdiste nga uria.

Po estrada nuk mbaroi me kaq. Ndërsa shqiptarët vdisnin nga COVID-i, kryministri dhe ministrja e vet e shëndetësisë nuk lanë lyerje qendre shëndetësore pa e propaganduar si “reformë” dhe ndërhyrje rutinë pa e propaganduar si “sukses të mjeksisë shqiptare”.

Një nga marifetet e përdorur më shpesh është dalja e ministres nëpër maternitete duke mbajtur në dorë ndonjë fëmijë që ka lindur pak nën peshë dhe është “shpëtuar” në sajë të “mrekullive teknologjike” të rilindjes.

Për kuriozitet profesional i kam ndjekur rastet e prezantuara nga ministrja dhe ato kanë qenë rëndom foshnja të lindur mbi një kg. Fëmijë me një peshë të tillë supozohet të shpëtohen edhe nga shtëpitë e lindjes në Afrikë dhe Azinë Qendrore, ndërsa në Europë dhe vendet e zhvilluara standardet janë komplet të tjera.

Sot BBC raportonte ecurinë e një foshnje të lindur muajin e gjashtë të shtatzanisë, me peshë 212 gram dhe gjatësi 24 cm. Pas një viti përkujdesje, ky fëmijë u shpëtua dhe sot gëzon shëndet të plotë! Kjo është një mrekulli e vërtetë e shkencës mjeksore!

Mbi të gjitha kjo “mrekulli” nuk kërkon teknologji të jashtëzakonshme. Ajo kërkon mjedise cilësore kujdesi (me temperaturë të kontrolluar dhe siguri nga infeksioni), protokolle trajtimi, personel të kualifikuar dhe të përkushtuar dhe elementë të tjerë të ngjashëm që lidhen me atë që quhet siguria dhe cilësia e kujdesit shëndetësor.

Këtë fotografi të foshnjes së etnisë kineze dhe nevojën për reformim urgjent të asaj që ka mbetur nga sistemi shëndetësor shqiptar duhet të ketë parasysh zonja Manastirliu herën tjetër që do të pozojë para kamerave me “mrekullinë” e radhës të të ashtuquajturve spitale shqiptarë të rilindur…