Vendosni fjalën kyçe....

Ku shkon? Do të të vrasin atje


Nga Edmond Bejtaj

Mendoj se ajo protesta e sotme në Korçë i tha ato që u kishin munguar debateve tona në këto ditët e Bregovicit, kështu që po them edhe diçka serioze në respekt te disa miqve me të cilët replikova këtu, meqë u mbyll kjo javë dhe nga nesër do kemi punë dhe muhabete të tjera.

Unë nuk jam ndonjë patriot i thekur, d.m.th. nuk jam vendosur ndonjëherë në ndonjë provë të madhe ndaj atdheut tim, me përjashtim të vendimit për tu kthyer në Shqipëri kur isha andej matanë, vendim që e mora për shkak të prindërve të mi, kur e ndjeva që nuk po e shtynin dot pa mua.

– Kështu që për mua atdheu im është shtëpia ime, njerëzit e mi, të afërm e miq, si dhe liria ime, pra liria për ta jetuar jetën sipas normave dhe kërkesave të mia për jetën, që i bie se në ditën që Shqipëria do ma mbyste këtë liri, ajo nuk do ishte më atdheu im.

Unë nuk bie në dashuri kollaj me asgjë dhe askënd, ngaqë jam egoist, por kjo nuk do të thotë se fyej kollaj, dhe këtë e dinë mirë ata që më njohin nga afër, pra unë i di mirë kufijtë e mi dhe normat e marrëdhënieve me të njohur e të panjohur, e nëse shtyhem në një debat, këtë e bëj me shumë kujdes.

Tani të vij tek ky debati i ditëve të fundit, ku u përfshimë ca seriozisht e ca me humor, pra në çështjen Bregovic, d.m.th. tek debati mbi pyetjen: A duhet ta mirëpresim një këngëtar serb, të akuzuar se është treguar jodashamirës (?!) ndaj ne shqiptarëve në një moment mjaft delikat e të dhimbshëm të historisë tonë ?

Historia mes nesh dhe fqinjëve serbë dihet, ashtu siç dihet edhe historia mes nesh dhe fqinjëve grekë, dhe tani pa dashur të provokoj askënd, më duhet të pyes djemtë dhe vajzat shqiptare që u irrituan keq nga ftesa ndaj Bregovic,

– A ka ndodhur ndonjëherë që në Korçë të pritet me protesta ndonjë këngëtar grek?

Me pak fjalë, – A e dinë shqiptarët e irrituar nga ftesa për këngëtarin Bregoviç, se dikur, pra një shekull më parë, në Jugun e Shqipërisë janë kryer nga çetat e andartëve grekë masakra të tmerrshme ndaj popullsisë civile, janë masakruar patriotë shqiptarë për shkakun se hapnin shkolla shqipe, janë vrarë priftërinj ortodoksë shqiptarë pse predikonin shqip e jo greqisht?

A keni dëgjuar ju për Petro Nini Luarasin, Papa Kristo Negovanin dhe At Stathi Melanin?

A e dini ju se në 25 Dhjetor të vitit 2017, në kishën ku është varrosur koka e prerë e At Stathi Melanit në Përmet, familjarët e tij u ndaluan me urdhër të kreut të Kishës Ortodokse Shqiptare që të hynin për homazhe në 100 vjetorin e vrasjes së tij nga andartët grekë?

Ku ishin patriotët shqiptarë atë ditë, d.m.th. ku ishin këta shqiptarët artistë, këngëtarë, njerëz publikë, intelektualë, jugorë ose veriorë, tifozë kuqezi, deputetë, etj?

Se kush e diti ndonjëherë nëse mes atyre që vijnë të këndojnë këtu, nuk ka ndonjë nip andarti që dikur preu koka shqiptarësh?!

E pra, patriotizmi nuk mund të jetë një ndjenjë selektive e që shpaloset me raste, por një realitet konstant, përndryshe mbetet një shfaqje abuzive dhe e dëmshme.

Dhe tani të vij tek marrëdhënia jonë me serbët:

– Ata janë fqinji jonë, ashtu si grekët, dhe fqinjin ta jep Zoti kështu që përtej dëshirës së dikujt atje për të na parë si armiq, ne duhet t’i trajtojmë me dinjitet, natyrisht në respekt të vetes tonë, duke mos e harruar asnjëherë historinë mes nesh, por duke parë përpara.

Para pak vitesh e solli rasti të punoja me disa kolegë serbë.

Më bëri përshtypje njëri që tha se para se të nisej për këtu, familjarët i kishin thënë – Ku do vesh, do të të vrasin atje! Dhe mu dhimbs vetja kur mendova që dikush mund të më shikonte mua apo tim bir si vrasës, ashtu siç mu dhimbsën vetja, Shqipëria, shqiptarët e ikur nga sytë-këmbët të pakënaqur nga atdheu i tyre, si dhe vetë serbët, kur duke qenë me grupin e përbashkët të ulur në kafen e lokalit të Liros në Vlorë, njëri prej tyre që kish bredhur gjithë botën, rënkoi me kënaqësi me sytë në horizont – Këtu do doja të vdisja!