Vendosni fjalën kyçe....

Kosova nis hartimin e Ligjit për Kriptovalutat


Monedhat virtuale kanë zënë vend të madh në tregun botëror. Edhe Kosova është bërë pjesë e këtij trendi. Veçse tashmë po pretendohet të bëhet edhe ligji për kriptovalutat. Në Kuvendin e Kosovës është formuar Grupi i Punës për Projektligjit për Kriptovaluta.

Në mbledhjen e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti është formuar Grupin e Punës për nismën legjislative për hartimin e Projektligjit për Kriptovaluta.

Kryesuese e këtij grupi është zgjedhur deputetja Mimoza Kusari-Lila, ndërsa anëtarja e këtij grupi Jeta Statofci theksoi se me anë të këtë këtij Ligji synojnë ta krijojnë një bazë ligjore sa më e përshtatshme për kriptovalutat.

“Siç e kemi të paraparë edhe në Planin e Punës është edhe Projektligji për Kriptovalutat. Ne kemi pranuar hulumtimin, kështu që mendoj që është e udhës edhe formimi i grupit punues, i cili do të angazhohet në këtë Projektligj. Propozoj që krahas edhe grupit formues, të ketë edhe angazhim të ekspertëve pasi që është fushë e re për të dhënë kontributin e tyre në krijimin e një baze ligjore sa më të përshtatshme edhe konform nevojave që identifikohen në treg”, theksoi Statovci.

Ndryshe, shumë qytetarë në Kosovë kanë investuar në kriptovaluta, megjithëse nuk është e rregulluar me ligj deri tash.

Disa të rijnë tashmë në Kosovë kanë krijuar një kriptovalutë të quajtur “KosovaCoin”.

Kriptovaluta aktualisht ka vlerë më pak se një cent, por krijuesit e saj mendojnë se asaj do t’i rritet vlera. Deri tani, në këtë valutë, kanë investuar rreth 150 persona.

Kohë më parë përmes një komunikate për media, Banka Qendrore e Kosovës kishte thënë se përdorimi i monedhave virtuale përbën një rrezik që mund të rezultojë me humbje financiare.

“Përdorimi i parave virtuale, siç është për shembull Bitcoin, nuk është i rregulluar ligjërisht dhe përbën një rrezik që mund të rezultojë me humbje financiare. Të gjithë përdoruesit e mundshëm të parasë virtuale njoftohen se në Republikën e Kosovës nuk ka asnjë institucion që garanton rimbursimin e parave të humbura”.

Dogana e Kosovës ka treguar se çfarë lloje të pajisjeve për prodhim të kriptovalutave janë importuar gjatë viteve të fundit në Kosovë.

“Ne kemi dy lloje të paisjeve të cilat janë importu në Kosovë. Kemi 8 mining që kanë qenë direkt për prodhimin e kriptovalutave, si dhe kemi kartelat grafike të cilat importohen në masë të madhe, që vazhdojnë të importohen”.

Dogana nuk ka të dhëna të sakta se sa copë të pajisjeve të tilla janë të importuara, por, në vitin 2016 kur ka filluar ky fenomen, është krijuar një kod i veçantë që këto pajisje të regjistrohen.

“Pajisjet që përdoren për ‘mining’ janë pajisje që gjatë vitit kanë pasur kulmin e importit gjatë vitit 2017-2018, që janë rreth 4 milionë euro pajisje të tilla. Njëjtë edhe kartelat grafike, diku rreth 5 milionë euro ka qenë vlera”.

Një monedhë virtuale është një formë e parregulluar e parasë dixhitale e cila nuk përdoret ose garantohet nga një bankë qendrore dhe e cila mund të veprojë si mjet pagese.

Monedhat virtuale paraqiten në shumë forma, në fillim si monedha brenda lokaleve të lojërave kompjuterike online dhe media sociale, e më vonë janë zhvilluar si mjete pagese që pranohen ‘offline’ ose në ‘jetën reale’./ Fatos Shala

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor