Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata pranon kërkesën: Britney Spears mund ta zgjedhë vetë avokatin e saj


Një gjykatës në Los Angeles ka vendosur që këngëtarja Britney Spears të lejohet që ta zgjedhë vetë avokatin që do ta përfaqësojë atë në betejën për t’i dhënë fund kujdestarisë nga babai i saj.

Vendimi u mor të mërkurën pasi Spears iu drejtua gjykatës për herë të dytë në më pak se një muaj.

Spears kërkoi edhe një herë që babai i saj, Jamie Spears, të hiqet nga marrëveshja ligjore që ka kontrolluar punët e saj për vite me rradhë.

Në gjykatë muajin e kaluar, ajo bëri një lutje dramatike për t’i dhënë fund marrëveshjes. Dhe të mëkurën ajo e përsëriti të njëjtin apel, duke bërë thirrje që babai i saj të akuzohej për “abuzim me kujdestarinë”.

“Unë jam këtu për të ngritur akuza. Unë jam e zemëruar dhe do të shkoj atje.”- tha Spears, duke folur në gjykatë përmes telefonit të një avokati. “Ju po lejoni që babai im të shkatërrojë jetën time. Unë duhet të heq qafe babanë tim dhe ta akuzoj atë për abuzim me kujdestarinë.”- tha ajo, citon BBC.

Një kujdestari jepet nga gjykata për individët që nuk janë në gjendje të marrin vendimet e tyre, për shkak të problemeve të ndryshme mendore.

Këngëtarja 39-vjeçare ka qenë nën kujdestarinë e babait të saj që nga viti 2008, kur shqetësimet për shëndetin e saj mendor e shtynë Jamie Spears-in t’i kërkonte gjykatës autorizim ligjor mbi jetën e vajzës së tij.

Abuzimi me kujdestarinë mund të përfshijë shfrytëzimin financiar ose vendosjen e kufizimeve të tepërta personale ndaj dikujt që kujdeset për ju.