Vendosni fjalën kyçe....

Vdes gazetari gjeorgjian që u dhunua nga turmat homofobike, protesta të mëdha në Tbilisi


Mijëra njerëz u mblodhën para ndërtesës së parlamentit gjeorgjian në Tbilisi pasi u raportua se një kameraman, i rrahur nga një turmë e dhunshme homofobike e ekstremit të djathtë javën e kaluar, ishte gjetur i vdekur në banesën e tij.

Trupi i Aleksandër Lashkarava, një nga një duzinë gazetarësh të sulmuar gjatë dhunës kundër aktivistëve LGBT+, u zbulua nga nëna e tij të dielën.

Sipas koleges së tij Miranda Baghaturia, kameramani i TV Pirveli u rrah nga një turmë prej 20 personash të hënën e kaluar dhe pësoi dëmtime të shumta, duke bërë që ai t’i nënshtrohej një operacioni. Ai doli nga spitali të enjten. Shkaku i saktë i vdekjes nuk është njoftuar ende.

Lajmi frymëzoi mijëra njerëz që të mblidheshin në rrugët e Tbilisi, ku aktivistët kanë akuzuar autoritetet për nxitjen e grupeve të urrejtjes.

Duke shkruar në Twitter, Presidentja gjeorgjiane Salome Zourabichvili e quajti vdekjen një ‘tragjedi’, duke i dhënë ngushëllimet e saj ‘gjithë komunitetit të medias’.

“Duhet të hetohet dhe ata që janë përgjegjës duhet të ndëshkohen,” tha ajo.

Javën e kaluar, organizatorët e Tbilisi Pride u detyruan të anulonin tubimin e parashikuar pasi aktivistët e ekstremit të djathtë sulmuan dhe plaçkitën zyrën e tyre dhe sulmuan me dhunë më shumë se 50 gazetarë që mbulonin ngjarjen.

Kjo erdhi pasi kryeministri gjeorgjian Irakli Garibashvili i quajti planet e grupit LGBT+ si ‘të paarsyeshme’, duke pretenduar se ngjarja, e quajtur ‘Marshimi i Dinjitetit’, ishte organizuar nga ‘opozita radikale’ që kërkon të ‘ndezë tensione’ e të destabilizojë vendin .

Ekipi pas Tbilisi Pride fajësoi qeverinë, Kishën Ortodokse dhe forcat pro-ruse se qëndrionin pas sulmeve.