Vendosni fjalën kyçe....

Kapet me gati 95 mijë paund të padeklaruara në Kakavijë, procedohet penalisht 49-vjeçari


Policia ka vijuar kontrollet intensive në kufi për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Kështu uniformat blu në Kakavijë kanë goditur një rast të mosdeklarimit të të hollave në kufi.

Bëhet fjalë për një shumë prej 94210 paundësh që një 49-vjeçar me inicialet N.T i mbante të fshehura në një çantë në makinë.

“Shërbimet e Policisë Kufitare në Kakavijë, si rezultat i shtimit të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në kontroll më të detajuar, automjetin tip furgon me drejtues shtetasin N. T., 49 vjeç, banues në Dimal.”- thuhet në njoftimin e Policisë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë Kufitare dhe shërbimet e FRONTEX-it, në bashkëpunim me shërbimet doganore, në një vend të përshtatur në automjet gjetën të fshehura 86810 paund.

Po ashtu ata gjetën edhe 7400 paund të tjera në një çantë dore, para të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar.

“Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Gjirokastër, drejtuesi i furgonit, shtetasi N. T. u procedua penalisht për veprat penale ‘Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’.”- thotë Policia.