Vendosni fjalën kyçe....

Raporti i UNICEF-it shkakton polemika, thotë se pornografia s’është gjithmonë e dëmshme për fëmijët


Një agjenci e Kombeve të Bashkuara është zhytur përsëri në polemika lidhur me një raport të fundit që sugjeron se nuk ka prova përfundimtare se fëmijët e ekspozuar ndaj pornografisë dëmtohen.

Raporti i botuar nga Fondi i Fëmijëve i Kombeve të Bashkuara (UNICEF) adreson se si politika qeveritare mund të përdoret për të mbrojtur fëmijët nga përmbajtja e dëmshme, abuzive dhe e dhunshme në internet.

Përfundimi i tij bazohet në një studim evropian të 19 vendeve të BE-së që zbuloi se në shumicën e vendeve, shumica e fëmijëve që panë imazhe pornografike nuk ishin ‘as të mërzitur, as të lumtur’. Në fakt, raporti në të cilin mbështetet UNICEF thotë se 39 përqind e fëmijëve spanjollë ishin të lumtur pasi panë pornografi.

Institucionet që janë kundër pornografisë nuk pajtohen me të dhënat e UNICEF.

“Raporti i UNICEF injoron studimet e gjera që tregojnë dëmet e pornografisë tek fëmijët. Duke injoruar dëmet e vërteta që mund të ketë pornografia, UNICEF po luan bixhoz me shëndetin dhe sigurinë e fëmijëve.” – tha Lisa Thompson, nënkryetare dhe drejtore e Institutit të Kërkimeve në Qendrën Kombëtare të Shfrytëzimit Seksual.

‘Organizata Thompson’, që ofron hulumtime eksperte për të informuar vendimet e politikave për t’i dhënë fund abuzimit seksual dhe shfrytëzimit të grave dhe fëmijëve, ka zbuluar se pornografia mund të jetë nxitësi kryesor i këtij abuzimi.

“Pornografia përmban abuzim të tmerrshëm seksual, përdhunim, inçest, racizëm e këto nuk duhet kurrsesi të shihen nga fëmijët.” – vijoi Thompson dduke shtuar se “Vlerësimi tejet i ndrojtur i UNICEF-it për ndikimet e pornografisë tek fëmijët nuk bën asgjë për të sfiduar rrëfimin politik se pornografia është e mirë, dhe si rezultat, i vë fëmijët në rrezik”.

‘Studimi Online i BE-së për Fëmijët’ në vitin 2020 arriti në përfundimin se disa fëmijë dhe të rinj ‘kërkojnë me qëllim përmbajtjen seksuale’ për një larmi arsyesh dhe se shikimi i pamjeve seksuale ‘gjithashtu mund të përfaqësojë një mundësi’ për të dhënë përgjigje në pyetjet që kanë lidhje me pubertetin dhe identitetin seksual. Studimi nxiti ‘shikimin e nuancave’ të cilat i shtyjnë fëmijët të kërkojnë dhe shikojnë përmbajtjen seksuale në internet.

UNICEF thotë se çdo përpjekje për të bllokuar fëmijët të kenë qasje në pornografi në internet mund të shkelë të drejtat e tyre njerëzore. UNICEF e bazon këtë pretendim në një interpretim të zgjeruar të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike.

UNICEF gjithashtu pretendon që kërkimi i verifikimit të moshës për të hyrë në pornografi në internet mund t’u mohojë fëmijëve aksesin në atë që e quan ‘arsim jetik seksual’. Duhet të theksohet se kritikët akuzojnë se ‘edukimi gjithëpërfshirës i seksualitetit’ është pornografik dhe i dëmshëm për fëmijët.

Publikimi i këtij raporti nga UNICEF vjen vetëm disa ditë pasi Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar njoftoi rinovimin e partneritetit të saj të gjatë me UNICEF, duke dhënë një shtesë prej 300 milionë dollarësh në financimin e drejtpërdrejtë të programit. SHBA-ja është dhuruesi më i madh qeveritar i UNICEF me fondet e vitit 2020 që kapin gati 994 milionë dollarë në programe humanitare dhe zhvillimore.

UNICEF në përgjithësi i është bashkuar shtytjes feministe në Kombet e Bashkuara në thirrjet për abort. Agjencia e fëmijëve u themelua për të ndihmuar fëmijët e zhvendosur pas Luftës së Dytë Botërore.

Kritikët thonë se UNICEF është larguar nga vizioni i tij themelues dhe se kjo thirrje për qasjen e fëmijëve në pornografi nën maskën e të drejtave të njeriut dhe të drejtuara nga seksi nënvizon këtë ndryshim. Në një kohë, Selia e Shenjtë ndaloi dhurimin e saj vjetor simbolik për UNICEF. Pas kritikave të ashpra, UNICEF e hoqi raportin në fjalë nga faqja e tij në internet.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e C-Fam

Përgatiti për Hashtag,al, Klodian Manjani