Vendosni fjalën kyçe....

Gramoz Ruçi: Nëse nuk kam bërë diçka, ka ndodhur jo se s’kam dashur apo s’kam ditur, por nuk kam mundur


Në seancën e sotme plenare, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi mbajti fjalimin e tij të fundit në këtë detyrë si dhe të fundit i angazhuar në politike.

Gjatë fjalës së tij Ruçi tha se garat e tij zgjedhore janë karakterizuar nga dinjiteti dhe sinqeriteti, dhe nëse nuk ka bërë diçka që qytetarët prisnin prej tij, kjo ka ndodhur jo se ai nuk ka dashur apo nuk ka ditur, por se nuk ka mundur.

“Të nderuar kolegë, unë siç e kam bërë të ditur, në përfundim të kësaj legjislature, kam vendosur t’i jap fund angazhimit tim dhe kontributit tim institucional në Kuvendin e Shqipërisë, në PS dhe në jetën publike. Unë i jam mirënjohës kësaj force politike, i jam mirënjohës qytetarëve të Sarandës, Tepelenës e Fierit, që më kanë zgjedhur deputet për 8 legjislatura rrjesht.

Si një prej deputetëve më të hershëm në këtë sallë, gjatë 3 dekadave të kësaj jete demokratike, do shprehja mirënjohjen time dhe vlerësimin tim për të gjithë kolegët deputetë të të gjitha këtyre legjislaturave. Si pë rata që kanë qenë në krahun tim politik ashtu edhe pë rata që kanë qenë kundërshtarët e mi politikë. U jam mirënjohës bashkëpunëtorëve të mi të administratës së Kuvendit, për përkushtimin e tyre, për profesionalizmin e tyre të spikatur në shërbim të gjithë deputetëve dhe Kuvendit në përgjithësi.

Do të falenderoja publikisht edhe një herë familjen time, për mirëkuptimin që ajo ka treguar gjatë sakrificave të mia, dhe të tyre njëkohësisht për shkak të detyrimeve të mia të jetës publike, pasi të gjithë kanë privuar diçka nga jeta e tyre që unë të kryej me sukses detyrat e mia publike. Për rreth 3 dekada në këtë sallë, 16 vjet i kam kaluar në maxhorancë dhe 14 vjet në opozitë.

Por gjithmonë, në këtë sallë dhe prej saj në gjithë jetën dhe karrierën time politike, kam bërë më të mirën për të sjellë zërin, nevojat e zgjedhësve, pavarësisht nëse kanë votuar për mua, për partinë time, për partitë kundërshtare apo për kundërshtarët e mi.

Në garat zgjedhore jam karakterizuar nga dinjiteti dhe nga sinqeriteti, në Kuvendin e Shqipërisë kam ardhur si shërbyes publik, dhe kam shërbyer me përkushtim dhe me integritet.

Nëse nuk kam bërë më të mirën që prisnin qytetarët shqiptarë nga unë, kjo ka ndodhur jo se nuk kam dashur dhe as se nuk kam ditur, por se nuk kam mundur. Madje do thosha se të gjithë bashkë s’kemi mundur.

Jam i bindur se gjeneratat e reja të politikanëve shqiptarë, gratë dhe burrat e Shqipërisë që do të ulen në sallë në datën 9 shtator, do ta bëjnë Shqipërinë një vend më të mirë për të jetuar, një vend më të mirë për të gjithë.”– përfundoi Ruçi dhe të gjithë deputetët që ishin në sallë u ngritën në këmbë duke e duartrokitur.