Vendosni fjalën kyçe....

KPK shkarkon nga detyra prokurorin Ervin Karanxha, garda e shoqëron jashtë bashkë me avokatët pas debateve në seancë


Shkarkohet nga detyra prokurori Ervin Karanxha. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e ka shkarkuar nga detyra prokurorin, pasi nuk ka mundur të justifikojë pasurinë. 

Sipas KPK –së, Karanxha ka një bilanc negativ pasi ka shpenzuar më shumë se sa ka fituar ligjërisht.

Gjatë zhvillimit të seancës së sotme në KPK ka pasur debate dhe avokatët e Karanxhës janë nxjerrë jashtë nga efektivët e Gardës së Republikës.

Prokurori me gjithë avokatët janë paraqitur në seancë, pasi pretendonin se do të ishte dëgjimore dhe jo për shpalljen e vendimit nga KPK. Kjo gjë ka sjellë debate dhe për këtë arsye avokatët u nxorrën jashtë, ndërsa më pas trupa gjykuese ka shpallur vendimin.

Trupa gjykuese përbëhej nga Etleda Çiftja, Valbona Sanxhaktari dhe Pamela Qirko.

Kujtojmë se Karanxha është bashkëshorti i ish-gjykatëses Bernina Kondi, e cila u shkarkua disa muaj më parë sepse edhe ajo kishte probleme me pasurinë.