Vendosni fjalën kyçe....

Sot publikohen rezultatet zyrtare të zgjedhjeve në PD, por s’ka dyshime se Basha ka fituar


Sot do të publikohen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për kreun e Partisë Demokratike. Megjithatë, sipas rezultateve paraprake rezulton se Lulzim Basha do të vijojë ta drejtojë PD-në edhe për katër vitet e ardhshme pasi ka siguruar rreth 81% të votave në të gjithë vendin, ose thënë ndryshe 32 882 vota.

Rivali më i fortë i tij duket të ketë qenë Agron Shehaj, por edhe ai ka mundur të marrë vetëm 15% të votave sipas rezultateve paraprake të mësuara mbrëmjen e kaluar. Apo 6 mijë e 38 vota.

Dy kandidatët e tjerë Edith Harxhi dhe Fatbardh Kadilli kanë mundur të sigurojnë respektivisht vetëm 991 vota me 763 vota.

Lulzim Basha do të jetë kryetar i Partisë Demokratike edhe për katër vitet e ardhshme. Ai është kandidati më i votuar ndër 3 kandidatët e tjerë që e sfiduan për të drejtuar Partinë më të madhe në opozitë.

Kështu Basha ka fituar në çdo qendër votimi të numëruar deri më tani, përveç Selenicës ku fitues ka dalë Shehaj me 17 vota më shumë.

Ditën e djeshme kryetari i Komisionit Zgjedhor, Jemin Gjana deklaroi se pjesëmarrja e anëtarësisë ka qenë në nivelin 54.7% ose 41 mijë e 674 vota të vlefshme.

Në zgjedhjet e brendshme të PD-së ra në sy një rënie e pjesëmarrjes së demokratëve në votime.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *