Vendosni fjalën kyçe....

Emigrantët shqiptarë në Greqi protestojnë sot për hapjen e kufijve: Hapni Doganat, mos na refuzoni shtëpinë tonë


Komuniteti i Emigrantëve shqiptarë në Greqi ka njoftuar se do të protestojë sot për hapjen e kufirit me Shqipërinë.

Ky vendim vjen pasi autoritetet greke vazhdojnë të zgjasin mbylljen e kufirit duke marrë masa kundër Covid-19, të cilat përcaktojnë se vetëm një numër i kufizuar i njerëzve mund të kalojnë në stacionet kufitare Greqi – Shqipëri.

Shqiptarët që jetojnë në kryeqytetin Athinas, u bëjnë thirrje të gjithë bashkatdhetarëve të tyre në Athinë, të marrin pjesë në një demonstratë paqësore në Sheshin Syntagma këtë të martë pasdite, në 18:00, duke kërkuar të drejtat e tyre demokratike dhe gjithashtu hapjen e kufirit greko-shqiptar.

NJOFTIMI PËR PROTESTËN

Hapni doganat tani !

Mos na refuzoni shtëpinë tonë!

Edhe një herë tjetër si emigrantë shqiptarë dhe qytetarë të Greqisë ndjejmë nevojën kaq shumë të kemi një zë të lartë, të fuqishëm dhe të fortë…!

Përse qeveria greke mban mbyllur kufirin me Shqipërinë dhe ka kufizuar në mënyrë asfiktike numrin e hyrjes në Greqi, ndërkohë që me shtetet e tjera ndodh krejtësisht e kundërta?

Përse ky dallim të bëhet vetëm me shqiptarët dhe i detyron ata të gjejnë zgjidhje të tjera?

Përse në këtë moment kur kufizimi i hyrjeve ndëshkon edhe vetë fermerët grekë të cilët janë në pritje të mijëra punëtorëve të kualifikuar sezonalë që vijnë nga Shqipëria?

Përse ky dallim edhe ndaj minoritarëve grekë ?

Përse duhet të “ndëshkohen” me mijëra biznese nga të dy anët e kufirit të cilët kontribuojnë në ekonominë e vendit?

Ju bëjmë thirrje të gjithëve pa përjashtim dhe dallim, të mblidhemi më 8/06/2021 në sheshin “Sintagma” të kërkojmë të drejtat tona në mënyrë Demokratike në një protestë Paqësore.

Të dëgjohet zëri ynë nga qeveria greke, të cilës ne i bëjmë thirrje të rishikojë qasjen e padrejtë ndaj nesh, qytetarëve të saj, pasi vazhdon me penalizmin duke mbajtur mbyllur pikat doganore dhe kështu na privohet një e drejtë themeltare për të udhëtuar drejt vendlindjes dhe anasjelltas në vendit ku kemi zgjedhur të jetojmë dhe ndërtuar jetën tonë, Greqi!

I bëjmë thirrje çdo qytetari, bashkatdhetari, intelektuali, organizate, shoqate etj, të organizohemi dhe të protestojmë në mënyrë demokratike, pasi nga qeveria shqiptare nuk kemi patur asnjëherë mbështetje!

Të mos mungojë askush, të gjithë së bashku më 8/06/2021 në sheshin “Sintagma” ora 18:00.