Vendosni fjalën kyçe....

Këndonte “Jam Mafia” në “TikTok”, ILD nis hetimin disiplinor ndaj kryetares së Gjykatës së Elbasanit


Në mbledhjen e sotme Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë ILD, ka urdhëruar nisjen e hetimit disiplinor ndaj kryegjyqtares së Elbasanit, Enkeleda Kapedani.

“Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë u njoh me materialet filmike të shpërndara në media mbi magjistraten E. K, kryetare e Gjykatës Elbasan. Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani ka urdhëruar nisjen e hetimit disiplinor ndaj magjistrates për rastin.”- thuhet në njoftimin e ILD-së.

Ky vendim vjen pas lajmit të publikuar mbrëmjen e kaluar nga Hashtag.al, mbi videot që postonte gjyqtarja në rrjetin social “TikTok” nga ambientet e punës, video duke bërë pasarelë, duke kënduar “jam mafia”, apo duke u mburrur për veshjet “Gucci”.

Pavarësisht se qyteti është kthyer në kasaphanë me ekzekutime të njëpasnjëshme dhe ku sundimi i ligjit dhe prania e shtetit ka qenë thuajse inekzistente prej shumë vitesh me një situatë që ka ardhur duke u rënduar, kryetarja e Gjykatës së Elbasanit dukej e imunizuar dhe pashqetësuar nga e gjithë kjo.

 “Hashtag.al” u informua mbi performancën e saj në TikTok nga disa punonjës në policinë e shtetit dhe në prokurori, të cilët prej vitesh e konsiderojnë zonjën Kapedani si një gjyqtare problematike sa i takon lirimit të elementëve kriminalë.