Vendosni fjalën kyçe....

“Jam mafia, mafia” – ILD mblidhet sot për kryegjyqtaren e Elbasanit, Enkeleda Kapedani


Pas pamjeve të publikuara mbrëmjen e kaluar nga Hashtag.al, lidhur me postimet e kryegjyqtares së Elbasanit Enkeleda Kapedani në rrjetin social “TikTok”, do të mblidhet sot Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë (ILD).

Gazetari i “Report Tv” Arsen Rusta thotë se është interesuar në ILD lidhur me këtë dhe ka mësuar se sot do të zhvillohet një mbledhje posaçërisht për Kapedanin.

Enkeleda Kapedani u emërua kryetare e Gjykatës së Elbasanit në 30 shtator 2020, pas dorëheqjes së gjyqtarit Zihni Shahu.

Mirëpo në dhjetor të vitit 2019, Kapedani bëri shumë zhurmë duke liruar nga burgu Viktor Ymerin e bandës së Gaxhait.

Pavarësisht se qyteti është kthyer në kasaphanë me ekzekutime të njëpasnjëshme dhe ku sundimi i ligjit dhe prania e shtetit ka qenë thuajse inekzistente prej shumë vitesh me një situatë që ka ardhur duke u rënduar, kryetarja e Gjykatës së Elbasanit duket e imunizuar dhe pashqetësuar nga e gjithë kjo.

Ajo e gjen kohën të argëtohet në “TikTok” me video nga më të ndryshme duke ekspozuar veshjet e saj firmato dhe madje duke bërë pasarelë në zyrë.

Madje nën ritmet e muzikës në njërën prej shumë videove të publikuara prej saj dëgjohet në sfond: ‘Jam mafia, mafia, mafia’.

“Hashtag.al” u informua mbi performancën e saj në TikTok nga disa punonjës në policinë e shtetit dhe në prokurori, të cilët prej vitesh e konsiderojnë zonjën Kapedani si një gjyqtare problematike sa i takon lirimit të elementëve kriminalë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *