Vendosni fjalën kyçe....

Patozi: Vendimi për Berishën piketë për rrugëtimin gjysmë-demokratik të Shqipërisë, ata që kanë pasur rol në vendimmarrje duhet të ballafaqohen sot e tutje


Astrit Patozi ka reaguar për vendimin e SHBA-ve për shpalljen non grata të Sali Berishës ditën e sotme.

Patozi thotë se ky nuk është një moment që nuk duhet komentuar por asnjë ndonjë mesazh vetëm për opozitën.

Ai shton se është një piketë për rrugëtimin gjysmë demokratik të Shqipërisë dhe një standard për të cilin çdo person që ka pasur rol në vendimmarrje duhet të ballafaqohet sot e tutje.

Postimi i plotë:

NJË LEXIM I FTOHTË PËR DËNIMIN E SALI BERISHËS

Me Sali Berishën jam ndarë politikisht 8 vjet të shkuara me bindje të plotë, në shesh të burrave dhe pa hezitimin më të vogël. Arsyet kanë qenë publike dhe të mjaftueshme për një divorc përfundimtar.

Ndaj sot mund të bëja sikur nuk e kisha dëgjuar ose lexuar vendimin kundër tij të Departamentit të Shtetit. Sepse ai sot është në ditën e vet më të keqe dhe nuk do të ishte etike që t’ia shtojë mërzinë, qoftë edhe duke ia përmendur atë që i ka ndodhur.

Por unë mendoj se askujt prej nesh nuk i lejohet që të kthejë kokën nga ana tjetër, pavarësisht ndjesive të shkaktuara prej dënimit kapital të Sali Berishës, që mbërriti jo aq papritur sot nga Uashingtoni.

Në radhë të parë kjo i takon Lulzim Bashës, por edhe çdo politikani tjetër të rëndësishëm në Partinë Demokratike, të cilët e kanë detyrim të shumëfishtë për t’u shprehur. Cilidoqoftë qëndrimi i tyre, i cili nuk ka pse të paragjykohet, sepse duhet mirëkuptuar shkalla e vështirësisë.

Mbase mund të kemi sërish një vendim unanim për ta kundërshtuar atë, njësoj si ai që u muar për djegien e mandateve, por mund të ketë edhe befasi. Kjo nuk është një ngjarje e rëndomtë nga ato që mund të kalojnë pa qëndrim të fortë politik. Natyrisht, dikush mund të zgjedhë të përgjigjet edhe si Tom Doshi, të cilit sa herë i përmendnin problemet që kishte me SHBA, tregonte fotot që ka bërë në Vatikan me Papën, por të gjithë e dimë se si u mbyll pastaj historia.

Nga ana tjetër, unë nuk mendoj se shpallja non grata e Sali Berishës është një mesazh që i drejtohet vetëm opozitës në Shqipëri.

Ndaj më duket, në rastin më mirë, naive dhe e nxitur kënaqësia e shprehur nga përfaqësuesit e mazhorancës, duke e paraqitur gati si një vepër të tyre vendimin e Departamentit të Shtetit.

Sepse Sali Berisha ishte një stekë e lartë e politikës shqiptare në këto 30 vjet, ndaj edhe rrëzimi i mitit të tij është një sinjal i mprehtë alarmi, i cili duhet të bjerë mbi çdokënd tjetër poshtë këtij niveli, pavarësisht flamurit të partisë, që valëvit sot.

Ndaj edhe ky akt duhet konsideruar më shumë si një piketë e re e vendosur në rrugëtimin gjysëmdemokratik të shtetit shqiptar në këto tre dekada. Ndoshta një standart, ku të gjithë ata, që kanë pasur rol të rëndësishëm në vendimmarrje, duhet të ballafaqohen sot e tutje, nuk ka rëndësi në janë në pushtet apo në opozitë.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *