Vendosni fjalën kyçe....

Meta i përgjigjet Komisionit të Ligjeve dhe këmbëngul për datën 10 Maj: Sot e kam axhendën të zënë


Presidenti Ilir Meta i ka kthyer përgjigje Komisionit të Ligjeve, që e ftuan të merrte pjesë sot në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, në lidhje me nismën e ndërmarrë nga 50 deputetë për shkarkimin e tij.

Në këtë përgjigje, Meta thotë se të paktën këtë radhë në njoftim, Komisioni jep një sqarim se çfarë kërkon nga Presidenti: “Ndryshe nga dy komunikimet tuaja të datës 4.05.2021, në të cilat nuk jepej asnjë sqarim mbi arsyet se pse dërgoheshin ato komunikime, apo çfarë kërkohej prej Presidentit të Republikës, dhe për të cilat ju përcoll shkresa jonë me nr. prot. 1520/2, datë 5.5.2021, në këtë komunikim të ditës pasuese, të paktën është sqaruar se ju kërkoni të zhvilloni me Presidentin e Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, një seancë dëgjimore.”

Meta thotë se nisma për shkarkimin e tij, synon të shmangë vëmendjen nga parregullsitë dhe krimet elektorale në zgjedhjet e 25 Prillit. Ai këmbëngul në zhvillimin e mbledhjes në datën 10 ndërsa për mbledhjen e sotme që u vendos 24 orë më parë, Meta thotë se nuk i la atij kohë të mjaftueshme për t’u konsultuar me axhendën, që sipas tij e ka të ngarkuar këtë të enjte me takime.

“Të nderuar anëtarë të Komisionit, Procese apo nisma të kësaj natyre, megjithëse janë iniciuar përmes urdhrave politikë që synojnë të shmangin vëmendjen nga parregullsitë që partia në pushtet ka shkaktuar në këtë proces zgjedhor, ju si Komisioni i Ligjeve, keni detyrimin që të qëndroni në lartësinë e detyrës që mbani, e që të kujdeseni që asnjë garanci dhe kërkesë e Kushtetutës dhe e ligjit të mos shkelet, por të respektohet.

Ky nxitim i Komisionit të Ligjeve, sidomos në këtë situatë pas realizimit të zgjedhjeve të 25 prillit, përveç se reflekton qartë se po realizon me urgjencë përmbushjen e porosisë politike për të krijuar një proces fiktiv për shmangien e vëmendjes nga gjendja reale post zgjedhore dhe zbardhja e krimeve zgjedhore, mbart dhe rrezikun evident për të konsumuar shkelje kushtetuese dhe ligjore që natyrshëm, prodhojnë shpërdorim të veprimtarisë së deputetëve të Kuvendit, që për pasojë ka vetëm pavfleshmërinë e gjithë kësaj nisme fiktive. Pikërisht rëndësia e kësaj çështjeje, duke ditur synimin siç më sipër cituam, kërkon reflektim dhe vlerësim të thelluar së pari nga ju, si dhe kohë të mjaftueshme për të gjithë. Harku kohor prej më pak se 24 orësh, kurrësesi nuk mund të klasifikohet si ‘kohë e mjaftueshme’.

3 Rregullorja e Kuvendit ju njeh të drejtën për të kryer një vlerësim dhe të hartoni një raport brenda një harku kohor prej (15) pesëmbedhjetë ditësh, afat i cili përfundon në datën 15 Maj 2021. Edhe për këtë arsye nuk keni pse të nxitoheni për ta realizuar këtë proces brenda një dite, duke shkelur jo vetëm çdo normë në fuqi, por edhe duke ‘vendosur’, siç citoni në njoftimin tuaj, kur në fakt sipas neni 112, pika 2, të Rregullores, jeni ‘të detyruar’.

Presidenti i Republikës, siç ju është bërë me dije edhe në shkresën tonë nr. prot. 1520/2, datë 5.5.2021, edhe para se ju të shprehnit kërkesën në mënyrë eksplicite, ka shprehur gadishmërinë e tij për t`u takuar, diskutuar e për t`u shprehur me dhe në Komisionin e Ligjeve. Sigurisht që agjenda e Presidentit të Republikës, është e paracaktuar, dhe i mundëson zhvillimin e këtij takimi apo mbajtjen e bashkëbisedimit e bashkëdëgjimit me anëtarët e këtij Komisioni, në datën 10 maj 2021. Kjo datë, 10 maj 2021, përveçse përkon me një ditë të lirë në agjendën e tij, përkon edhe me Ditën Kombëtare të Drejtësisë Shqiptare. Nuk do të kishte një moment më të përshtashëm që një aktivitet i tillë i përbashkët, të zhvillohej në një ditë kaq të rëndësishme për Shqipërinë, që evokon përpjekjet e parreshtura të shtetit shqiptar për shtetin e së drejtës!

Duke ju garantuar se kjo datë e lirë në agjendën e Presidentit nuk përmban asnjë qëllim për t`ju penguar në ushtrimin e misionit të paligjshëm që ju është ngarkuar, ju bëjmë me dije se, Presidenti i Republikës nuk mund të anulojë apo të shmangë agjendën e Tij, të datës 6 maj 2021, ditë kjo në të cilën tashmë janë të planifikuara prej kohësh, realizimi i takimeve me rëndësi edhe për proceset e integrimit të vonuar europian të vendit.

Në funksion të transparencës, dhe nëse dëshironi ta ndiqni, pasi do të bëhet publike, Presidenti i Republikës, pikërisht sot ditë e enjte, datë 6 maj 2021, do të presë në takime, për bisedime e takime zyrtare, protokollare, personalitete të larta të huaja, si: – Ministren Federale për Çështjet Europiane dhe të Kushtetutës së Republikës së Austrisë znj. Karoline Edtstadler; dhe – Presidentin e Republikës së Sllovenisë, Sh.T.Z. Borut Pahor. Pikërisht nisur nga axhenda zyrtare dhe e ngjeshur e Presidentit të Republikës, si dhe duke marrë në konsideratë volumin e informacionit që mund dhe duhet diskutuar me Komisionin e Ligjeve, çështje këto që përfshijnë pyetjet, rastet, verifikimet dhe të dhënat, të cilat i kemi evidentuar në shkresën tonë nr. 1520/2 prot., datë 5.5.2021, dhe për të cilat kemi pritur reflektimin tuaj, kemi shprehur gadishmërinë e Presidentit për t`u takuar, diskutuar e për t`u shprehur me Komisionin e Ligjeve, qoftë dhe virtualisht nëpërmjet platformës CISCO-ËEBEX, në datën 10 maj 2021.

4 Ndërsa zhvillimi i këtyre takimeve zyrtare protokollare shtetërore paraqitet me shumë rëndësi për Presidentin e Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, pasi lidhet me marrëdhëniet dy palëshe të Republikës së Shqipërisë dhe procesin e integrimit evropian, akoma me më shumë rëndësi për anëtarët deputetë të Komisionit të Ligjeve, do të ishte që pavarësisht porosive misionare partiake të ngarkuara, të respektohej për çdo lloj nisme të ndërmarrë, procedura kushtetuese dhe ligjore. Dhe kjo procedurë, që referohet edhe në dispozitën e Rregullores që vetë keni cituar në njoftimin e përcjellë, kërkon kohë të mjaftueshme.”- thuhet në përgjigjen e Metës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *