Vendosni fjalën kyçe....

LSI kërkoi pamjet filmike gjatë numërimit të votave, Silva Caka: KQZ ende s’na i ka dhënë, SPAK të hetojë


 

Edhe pse kanë 10 ditë që kanë kërkuar pamjet filmike nga disa KZAZ, Lëvizja Socialiste për Integrim deklaroi thote se ka patur vonesa nga ana e Komisionerit Shtetëror.

Në një deklaratë për mediet, Silva Caka tha se 10 ditë më pas LSI ende nuk i ka marrë pamjet e KZAZ 47 në Elbasan.

Për këtë arsye, zonja Caka i bëri thirrje Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) të nisë menjëherë hetimin për arsyen e vonesës së dorëzimit të pamjeve filmike, të cilat sipas ligjit, duhet t’i vendosen pa vonesë në dispozicion çdo subjekti politik të interesuar.

“Jemi në këtë konferencë për t’ju bërë me dije se prej disa ditësh i kemi kërkuar Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve pamjet filmike të procesit të numërimit për disa KZAZ, ku janë vërejtur shkelje të rënda, të cilat kanë të bëjnë me tjetërsimin e votës së shqiptarëve.

Duam të përmendim faktin se ka patur vonesa në vendosjen në dispozicion të pamjeve filmike për KZAZ-të nr. 66 në Berat, 25 në Shijak dhe 70 në Maliq.

Akoma dhe më shumë rëndohet situata për KZAZ-në numër 47 të Elbasanit, ku edhe sot që flasim, 10 ditë pas procesit zgjedhor, ende nuk na janë vënë në dispozicion pamjet filmike të procesit të numërimit. Madje, në informacionet tona edhe Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, ende nuk është pajisur me këto pamje filmike.

Kompania që disponon pamjet filmike, R&T, në pronësi të Renis Tërshanës, ortak me Samir Mane-n, vonon enkas dorëzimin e pamjeve filmike, pikërisht në KZAZ-të ku tjetërsimi i votës, ka marrë përmasa kriminale.

Në kuadër të ruajtjes së votës së çdo shqiptari, Lëvizja Socialiste për Integrim është e vendosur në denoncimin e çdo parregullsie dhe paligjshmërie të procesit të 25 prillit.

I bëjmë thirrje Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion, të nisë menjëherë hetimin për arsyen e vonesës së dorëzimit të pamjeve filmike, të cilat sipas ligjit, duhet t’i vendosen pa vonesë në dispozicion, çdo subjekti politik të interesuar.”- deklaroi sot Silva Caka.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *