Vendosni fjalën kyçe....

PROFIL/ Kush është Vjosa Osmani, presidentja e re e Kosovës


Vjosa Osmani u zgjodh presidente e Kosovës mbrëmjen e sotme pas një seance të jashtëzakonshme në Kuvend. Ajo është presidentja e dytë femër e vendit pas Atifete Jahjagës.

Po kush është Vjosa Osmani dhe cili ka qenë rrugëtimi i saj deri sot?

Ajo ka lindur ne Mitrovicë në vitin 1982. Pasi kreu shkollën fillore dhe atë të mesme në qytetin e lindjes, diplomohet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa studimet master dhe doktoraturën e përfundoi në Universitetin e Pitsburgut, në SHBA.

Osmani është e martuar dhe nënë e dy vajzave binjake. Ajo flet katër gjuhë të huaja, anglisht, turqisht, spanjisht dhe serbisht.

Karriera politike e Osmanit ka nisur që në adoleshencë, kur ka qenë aktiviste e LDK-së. Më 27 gusht të vitit 2009, Vjosa Osmani-Sadriu zgjidhet shefe e kabinetit të Presidentit të atëhershme të Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Në tre legjislaturat e fundit, ajo ka qenë deputete e LDK-së ndërsa në zgjedhjet e 14 shkurtit ajo garoi përkrah Vetëvendosjes së Albin Kurtit. Osmani është deputetja grua më e votuar në historinë e Kosovës.

Gjatë karrierës së saj në Kuvendin e Kosovës, Osmani ka qenë kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, si deputete e LDK-së.

Më herët ka shërbyer si Kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane dhe nënkryetare e Komisionit për Reforma Kushtetuese në Kosovë. /Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *