Vendosni fjalën kyçe....

Kolegji Zgjedhor rrëzon PD-në për fletën e votimit, kandidatët do votohen me numra e jo sipas emrave


Më 25 prill votuesit shqiptarë do i zgjedhin kandidatët për deputetë sipas numrave dhe jo sipas formatit emrër-mbiemër.

Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar propozimin e PD-së duke lënë në fuqi vendimin e KAS-it sipas propozimit të PS-së për modelin e fletës së votimit që do përdoret në zgjedhjet e 25 prillit.

Vendimi u mor para pak çastesh nga një trupë e përbërë nga Gentjan Medja, Alma Kolgjoka, Manjola Xhaxho, Esmeralda Xhili dhe Asim Vokshi me relatore Manjola Xhaxhon.

Partia Demokratike prezantoi më herët ankesat e saj lidhur me fletën e votimit që do përdoret në zgjedhjet e 25 prillit. Gjatë seancës në Kolegjin Zgjedhor, përfaqësuesi demokrat, Ivi Kaso, bëri thirrje që partia Bindja Demokratike të ndryshojë logon duke qenë se e ka shumë të ngjashme me atë të PD-së.

Po kështu ai theksoi se fleta e votimit duhet të ketë emrat dhe mbiemrat e kandidatë dhe jo me numra siç ka propozuar PS-së.

Sipas Kasos, fleta e votimit me numra ngatërron zgjedhësit ndërsa propozimi i PD-së, shtoi ai, e bën më lehtë dhe më të qartë votimin. Ai theksoi se fleta e votimit do ishte më e përshtatshme në formatin vertikal dhe të ketë në të emrat dhe mbiemrat e kandidatëve respektivë.

Përfaqësuesi i PS-së në Kolegjin Zgjedhor, ka mbrojtur propozimin që kandidatët të përfaqësohen nga numrat në fletën e votimit dhe jo me emër e mbiemër.

Sipas tij, propozimi i PD-së që kandidatët të kenë emra dhe mbiemra sjell ngatërrim gjatë votimit, krijon radhë të panevojshme dhe vështirëson numërimin e votave.

Ai kërkoi që Kolegji Zgjedhor të lërë në fuqi vendimin  e KAS-it që përcakton numra për kandidatët në fletën e votimit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *