Vendosni fjalën kyçe....

Problemi i papritur me zemrën detyron yllin francez të regbisë të dalë në pension në moshën 31-vjeçare


Ylli francez i rëgbisë, Kevin Gourdon, 31 vjeç, ka njoftuar tërheqjen nga sporti pas zbulimit të fundit të një problemi potencialisht serioz të zemrës, njoftoi klubi i tij La Rochelle.

Gourdon, i cili ka luajtur 19 ndeshje për Francën gjatë një karriere profesionale nëntëvjeçare dhe që së fundi kishte nënshkruar një marrëveshje të re dyvjeçare me skuadrën franceze jugperëndimore, zbuloi përmes faqes së internetit të klubit të tij se ai mori vendimin për t’i dhënë fund karrierës së tij pasi u informua javën e kaluar për problemin kardiak.

Hollësi të mëtejshme lidhur me problemin e tij në zemër nuk janë zbuluar.

“Është një lajm tejet i keq dhe i trishtë, por shëndeti im është prioritet.” – tha Gourdon në një deklaratë me shkrim.

“Fatkeqësisht është diçka që nuk mund ta kontrollojmë, nuk jam në gjendje të bëj asgjë për ta ndryshuar situatën, kështu që nuk jam penduar. Sot më duhet të kthehem në një pjesë të re të jetës sime, ndoshta pak më shpejt se sa pritej, por që do të jetë, jam i bindur, po aq përmbushëse.” – shtoi lojtari.

Gourdon luajti të gjithë karrierën e tij profesionale me skuadrën bregdetare franceze që aktualisht drejtohet nga legjenda irlandeze e regbisë, Ronan O’Gara.

Që nga debutimi i tij në vitin 2012, Gourdon luajti 221 ndeshje për klubin në të gjitha kompeticionet dhe ishte vendimtar në ngritjen e tyre nga një ekip i ulët i kategorisë së dytë në Kupën Evropiane të Kampionëve të Regbisë sezonit të kaluar.