Vendosni fjalën kyçe....

Rama nga Bylisi: Shumë shpejt ngjitemi në pjesën e sipërme të klasifikimit të vendeve të Europës për vaksinimin


Kryeministri Edi Rama po zhvillon në këto momente takimin e radhës në kuadër të fushatës elektorale, në Bylis të Fierit.

Gjatë fjalës së tij, Rama ka deklaruar se po kërkon mandatin e tretë, por një mandate të dytë sipas tij nuk ka pasur dot për shkak të tërmetit dhe pandemisë, që siç shprehet ai ia kanë “thyer mandatin në mes”.

Rama shprehet se me ritmin që po ecën me vaksinimin, Shqipëria shumë shpejt do ngjitet në pjesën e sipërme të klasifikimit të vendeve të Europës.

“Përshëndetje të gjithëve dhe faleminderit për këtë kënaqësi të madhe që të takohemi këtu në këtë shesh kaq të bukur dhe në mes të kësaj natyre kaq të mrekullueshme për të komunikuar në lidhje me këtë ndeshje kaq të rëndësishme të 25 Prillit.

Në fakt ne kërkojmë mandatin e tretë por nuk vijmë nga dy mandate, ne vijmë nga 1 mandat dhe nga një luftë që akoma nuk ka mbaruar. Sepse i tillë ka qenë mandati ynë i dytë: Një luftë e cila do kishte gjunjëzuar shumëkënd por që nuk mundi dhe nuk do të mund ta gjunjëzojë PS-në dhe qeverinë tonë në përballjen me dy fatkeqësi të jashtëzakonshme, një tërmet shkatërrimtar dhe pastaj një tjetër tërmet tronditës për të gjithë botën, një pandemi që vjen një herë në 100-vjet.

Dhe sot ne jemi këtu rreth 15 muaj pas tërmetit të parë dhe rreth pak më shumë se 12 muaj pas tërmetit të dytë dhe qoftë në raport me tërmetin e parë e qoftë me të dytin ne tanimë jemi në avantazh sepse po ndërtojmë dita-ditës shkollat e reja, po kthejmë dita-ditës në shtëpi familjet që humbën çatitë në pak sekonda, po ndërtojmë lagje të reja me kushte dhe me cilësi siç nuk kanë qenë ndonjëherë më parë dhe nga ana tjetër po kryejmë vaksinimin masiv të popullit tonë siç nuk po ndodh në vendet rrotull nesh.

Jo vetëm kaq por me organizimin që kemi bërë dhe me ritmin që po ecim shumë shpejt do ngjitemi në pjesën e sipërme të klasifikimit të vendeve të Europës për nivelin e vaksinimit dhe shumë shpejt do dalim përfundimisht nga ky tunel sfilitës i kësaj pandemie.”- deklaroi Rama.

Ai akuzoi opozitën se ndërkohë që qeveria po luftonte në dy fronte, ata janë munduar ti bëjnë tërmetin dhe pandeminë “aleatë”, duke i përdorur për t’u rikthyer në pushtet.

“E pra, mandati ynë i dytë ka qenë një mandate qeverisës i thyer në mes nga kjo luftë në dy fronte dhe kur sheh që ata që duan të vijnë në krye të vendit flasin sikur asnjëra dhe as tjetra nuk ka ekzistuar dhe nuk ekzistojnë, përkundrazi edhe tërmetin edhe Covidin janë munduar t’i bëjnë në aleatë, duke arritur deri në barbarinë e përhapjes së panikut për vaksinën, atëhere për çdo njeri të arsyeshëm për çdo prind, gjysh e gjyshe, të ri e të re, për çdo shqiptar të arsyeshëm zgjedhja është shumë e qartë.

Që ne të çojmë deri në fund këtë luftë, ta fitojmë atë në të gjitha frontet dhe të mbarojmë të gjitha ato punë që janë vonuar për shkak të kësaj lufte dhe ta kthejmë Shqipërinë në një nivel tjetër.”- shton Rama.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *